Klubi i Partizanit ka konfirmuar sot zyrtarisht kthimin e Skënder Gegës në pankinën e të kuqve, duke i dhënë fund eksperimentit të dytë me Arbër Abilaliajn si trajner i ekipit.
Të kuqtë kanë bërë të qartë se emërimi i Gegës është fillimisht deri në fund të këtij sezoni, me opsion zgjatjen e marrëveshjes nëse arrihen objektiva të caktuara dhe palët kanë dakordësinë për vijimin.
LEXO EDHE: Një gol nderon Dinamon në derbi, Partizani humbet penallti në fund!
Njoftimi i Klubit:
FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Skënder Gega.
Presidenti Gazment Demi në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm Olsi Rama dhe drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj ka prezantuar sot para ekipit trajnerin Gega.
Gega do të jetë pjesë e të kuqve për pjesën e mbetur te sezonit me opsion rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm.
Në drejtimin e Gegës të kuqtë fituan titullin kampion në sezonin 2018 – 2019”.
Mirë se rikthehesh në familjen e kuqe Skënder Gega”, shkruhej në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Gjatë karrierës së tij si lojtar, Gega më së shumti ka luajtur për Partizanin. Ai gjithashtu ka luajtur edhe në skuadrën gjermane Sportfreunde Siegen në periudhën 1992–1994.
Gega ka qënë lojtar i kombëtares shqiptare nga viti 1987 e deri në vitin 1989.