Film & Tv Lifestyle

Zyrtare/ Surpriza e parë e Big Brother VIP 5, Monika Kryemadhi i bashkohet Arbër Hajdarit në rolin e opinionistes!

Monika Kryemadhi do të jetë opinionistja e re e Big Brother VIP 5. Ajo do t’i bashkohet në këtë rol opinionistit Arbër Hajdari, i cili mban këtë post për të pestin edicion radhazi. Në një mbrëmje të gjatë, që premton emocione të mëdha, do të ndizen dritat e shtëpisë më të vëzhguar në Shqipëri, e cila starton sot në orën 21:00. Reality show që mban mbërthyer para ekranit miliona shikues, shqiptarë anë e mbanë botës, vjen nën moderimin e Ledion Liços, ku nuk do të mungojnë dhe analizat e opinionistëve.

“Big Brother është një ngjarje më shumë se sa një program televiziv. Është një ngjarje që na bashkon të gjithëve. Mund të presim nga të gjitha ngjyrat si në çdo sezon tjetër. Do ketë shumë surpriza, do ketë gjëra që ndodhin për herë të parë. Jam shumë entuziast për shtëpinë. Si kurrë ndonjëherë jam i lumtur të them që kjo është shtëpia më e bukur që Big Brother ka pasur ndonjëherë jo vetëm në edicionet e tij VIP. Uroj vërtetë të jetë një fillim i një aventure tjetër të paharrueshme, aty ku aventurat janë të gjitha të paharrueshme, Top Channel“,-tha Ledion Liço.

Mbrëmjen e ditës së sotme, nën shkëlqimin e dritave, do të hyjnë një nga një banorët VIP, që priten me kureshtje nga publiku shqiptar. Pas javësh hamendësime, është konfirmuar zyrtarisht konkurrenti i parë i Big Brother VIP Albania 5. Ai është Anxhelo Haruni, moderator i emisionit “Top Talk Economy”, në Top Channel.

“Sot po e mbyll këtë kapitull me shumë mirënjohje, sepse nesër hapet një tjetër. Nga nesër, zyrtarisht, do të jem konkurrent në Big Brother VIP Albania 5. Sipas rregullave, menjëherë pas këtij momenti do të hyj në izolim total. Pa telefon, pa kontakt, ashtu siç tashmë ndodhen edhe konkurrentët e tjerë, të izoluar në dhomat e tyre. Nga ky çast, loja nis për të gjithë njësoj.

Në Big Brother nuk shkon një rol, një plan, shkon njeriu. Dhe ajo që do të shihni nuk është versioni i moderuar, por versioni i vërtetë: me gabime, emocione, forcë dhe dobësi. Një version ndryshe nga ai që keni parë deri sot. Shpresoj që kjo mbështetje të më shoqërojë edhe në këtë udhëtim të ri, me synimin për të shkuar deri në fund. Faleminderit për gjithçka. Tani… shihemi brenda shtëpisë”,- tha Haruni.

20 dhjetori është fillimi i një sezoni të ri të “Big Brother Vip”. Moment ky prej të cilit shtëpia më e famshme në Shqipëri, do jetë e vëzhguar 24 orë, live në dy kanalet “Big Brothet Vip 1” dhe “Big Brother Vip 2” në DigitAlb. Çdo gjë është gati. Një natë plot supriza, sot ora 21:00, “Big Brother VIP Albania” 5, vetëm në ekranin e Top Channel.