Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në tre muajt e parë të vitit, arriti në 104 milion euro fluksi i Investimeve të Huaja Direkte sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme. Të dhënat historike tregojnë se ky është niveli i dytë më i lartë i investimeve në një tremujor, pas tetor-dhjetor 2024, kur treguesi arriti në 110 milion euro.
Vitet e fundit, Shqipëria është bërë një treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit si Kroacia apo Mali i Zi. Vitin e kaluar, të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milion euro.
Nga 2021-shi kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar e deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1.3 miliardë euro prona në vend sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i llogarit këto flukse si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Më 2014-ën, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5.7% të investimeve të huaja, ndërsa më 2024-ën, kjo peshë u rrit në 24%.
Rekordi u shënua në tremujorin e parë të vitit, kur blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29% të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend. Në vend të dytë ishin “Aktivitete financiare dhe të sigurimit”, me 75 milion euro, pothuajse njësoj me një vit më parë, duke zënë 20.7% të totalit.
Edhe këto janë kryesisht investime në rritjen e kapitalit të bankave për shkak të kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë, pa efekt direkt në ekonomi. Industria nxjerrëse tërhoqi 51 milion euro në tremujorin e parë, pothuajse njësoj sa një vit më parë.
Në industrinë përpunuese, investimet zbritën në 32 milion euro, me tkurrje 24% me bazë vjetore. Investimet në “Tregtia me shumicë dhe me pakicë” u rritën me 28%, në 32 milion euro.
Energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ujë që dikur ishin kontribues kryesorë të investimeve të huaja për shkak të investimeve në energji dhe gazsjellësin TAP sollën vetëm 27 milion euro investime ose 7.5% të totalit.
Në total, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit ishin 362 milion euro, me rritje të lehtë prej 2.3% me bazë vjetore./Monitor