Një orë xhepi prej ari e gjetur në trupin e njërit prej pasagjerëve më të pasur të Titanikut të fundosur, u shit për shifrën 1.78 milion paund, duke vendosur një rekord të ri në ankand, siç raporton media britanike BBC.
Ora i përkiste Isidor Strausit, i cili me bashkëshorten e tij, Ida ishin mes më shumë se 1,500 personave që humbën jetën kur në udhëtimin nga Southampton drejt Nju Jorkut, anija u përplas me një ajsberg dhe u fundos, më 14 prill të vitit 1912.
Trupi i Isidorit u gjet disa ditë pas tragjedisë e ndër sendet personale ishte edhe ora e xhepit 18 karat e markës Jules Jurgensen. Në pronësi të familjes, objekti qëndroi për më shumë se një shekull deri sa u shit në shtëpinë e ankandeve “Henry Aldridge and Son”, në Devizes, Wiltshire.
Isidor Straus, me origjinë nga Bavaria, ishte një biznesmen e politikan amerikan, si dhe bashkëpronar i qendrës së njohur tregtare Macy’s në Nju Jork.
Gjatë natës së fundosjes, besohet se bashkëshortja e tij besnike, Ida, refuzoi të hipte në një varkë shpëtimi, duke thënë se nuk donte ta linte burrin dhe se do të preferonte të vdiste pranë tij. Trupi i saj nuk u gjet kurrë.
Në të njëjtin ankand u shit edhe një letër e shkruar nga Ida Straus dhe e postuar gjatë udhëtimit. Blerësi pagoi 100 mijë paund.
Ndër të tjera, një listë pasagjerësh të Titanikut u ble për 104 mijë paund ndërsa një medalje ari dhënë ekuipazhit të anijes shpëtuese RMS Carpathia nga të mbijetuarit, për 86 mijë. Në total, ankandi i objekteve të lidhura me Titanikun vlerësohet se arriti vlerën e 3 milion paundëve.