Magazine

Zbulohet menuja e fundit e Titanikut: çfarë shijuan pasagjerët para tragjedisë?

Historia e Titanikut, anijes më të famshme të shekullit XX, vijon të ngjallë kuriozitet edhe sot. Përveç fatit tragjik të natës së 14 prillit 1912, kur anija u përplas me një ajsberg dhe u fundos në Oqeanin Atlantik, dokumentet e ruajtura kanë zbuluar edhe detaje interesante nga jeta e përditshme në bord – përfshirë menunë e fundit të pasagjerëve, vetëm disa orë para tragjedisë.

Pasagjerët e klasit të parë shijuan një banket të vërtetë aristokratësh. Në menunë e tyre përfshiheshin ostriga, salmon i tymosur, mish qengji dhe rosë e pjekur, biftekë, pula të ziera dhe patë të pjekura, të shoqëruara me pure patatesh, sallata elegante dhe perime të freskëta.

Për ëmbëlsirë, ofroheshin puding, akullore, fruta dhe tartë me mollë, të shoqëruara me verëra e shampanjë të shtrenjta.

Për klasën e dytë, menuja ishte më e thjeshtë, por e pasur për kohën: supë perimesh, peshk i pjekur, mish viçi, pulë e zier, patate, bukë të ngrohtë dhe ëmbëlsira si puding me kumbulla apo fruta sezonale.

Edhe pse më modest, ushqimi i klasës së tretë ishte konsideruar bujar për standardet e fillimit të shekullit XX. Pasagjerët shijuan bukë, biskota, djathë, patate të ziera, supë me oriz, qengj të pjekur dhe reçel frutash.

Ironia qëndron tek fakti se këto vakte u shijuan në një atmosferë paqeje e feste, pak orë para se anija të përfundonte në fund të oqeanit. Ndërsa orkestrina vazhdonte të luante, shija e banketit u përzje me frikën dhe panikun e mbi 2.200 pasagjerëve, prej të cilëve më shumë se 1.500 humbën jetën.

Sot, menuja e Titanikut mbetet një relike e çmuar historike – një dëshmi e jetës luksoze në bord, por edhe një kujtesë e hidhur e tragjedisë që ndryshoi përgjithmonë historinë e udhëtimeve detare.