Aktualitet Sociale

1 milion shqiptarë kanë ikur në 16 vitet e fundit!

Nga viti 2008 deri më 2024-ën, rreth 1 milion shqiptare kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat-it. Shqiptarët me leje qëndrimi të rregullt përbëjnë rreth 41% të popullsie që jeton ende këtu. Por totali i shqiptarëve jashtë vendit është më i lartë po të përfshihen emigrantët që jetojnë në Britani, Amerikë, Kanada dhe në vende të tjera jashtë BE-së.

Duke analizuar të dhënat e Eurostat-it mbi lejet e qëndrimit, për herë të parë dhënë shtetasve shqiptarë nga vendet e Bashkimit Europian, shihet një rritje e vazhdueshme e emigracionit që ka ardhur duke u përshpejtuar vitet e fundit.

Të dhënat tregojnë se në vitin 2008 ishin regjistruar 97,780 mijë leje qëndrimi për herë të parë, ndërsa deri në vitin 2014 stoku i lejeve arriti rreth 389 mijë. Pas vitit 2015, ritmi i rritjes u përshpejtua ndjeshëm. Në vitin 2018, totali kaloi mbi 600 mijë, ndërsa në vitin 2021 kishte shkuar në mbi 765 mijë leje.

Trendi vijoi edhe më fuqishëm në tre vitet e fundit, pas pandemisë. Vetëm nga 2021-shi deri më 2024-ën, numri i lejeve të qëndrimit të dhëna për shqiptarët në BE u shtua me mbi 230 mijë, duke e çuar totalin kumulativ në pothuajse 1 milion (999,138) në fund të vitit të kaluar. Ky ritëm tregon për një presion të vazhdueshëm emigrimi nga Shqipëria drejt vendeve europiane, pavarësisht zhvillimeve ekonomike e sociale të brendshme.

Rritja konstante nga viti në vit tregon për një prirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, ku çdo vit mijëra qytetarë kanë kërkuar mundësi pune dhe jetese në vendet e BE-së. Punësimi dhe përmirësimi i gjendjes ekonomik është arsyeja kryesore që i shtyn shqiptarët të emigrojnë.

Rritja ekonomike e vendit nuk është shpërndarë në mënyrë të barabartë gjatë tranzicionit. Mungesa e vendeve të punës me paga të denja, informaliteti i lartë në tregun e punës dhe mungesa e sigurisë afatgjatë për profesionistët kanë qenë shtysa kryesore për emigrim.

Paga mesatare në Shqipëri ka mbetur shumë poshtë mesatares së BE-së dhe Rajonit, duke nxitur më tej kërkesën për emigrim ekonomik, veçanërisht drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë e më pas edhe vendeve të tjera të Europës Perëndimore.

Një numër i madh të rinjsh kanë zgjedhur të studiojnë në vendet e BE-së, duke përfituar nga bursat dhe programet europiane. Pjesa më e madhe e tyre, më pas kanë aplikuar për leje qëndrimi dhe punësimi. Mungesa e perspektivës profesionale në Shqipëri dhe pamundësia për të gjetur punë të kualifikuara kanë forcuar këtë prirje.

Një pjesë e madhe e lejeve të qëndrimit kanë ardhur edhe si rezultat i bashkimit familjar. Shqiptarët që u vendosën më herët në vendet e BE-së kanë tërhequr familjarët e tyre, duke rritur numrin e lejeve të reja nga viti në vit, sidomos në vitet e fundit.

Shifra 1 milion leje qëndrimi të shqiptarëve në BE e rendit Shqipërinë në krye të vendeve për emigracionin e lartë në raport me popullsinë, duke na renditur gjithashtu ndër komunitetet më të mëdha të emigrantëve në hapësirën europiane./Monitor