Më shumë se një në çdo 100 vdekje globalisht është pasojë e vetëvrasjes, njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për veprime urgjente për të frenuar një krizë në rritje të shëndetit mendor, veçanërisht mes të rinjve. OBSH shton se megjithëse normat globale të vetëvrasjeve kanë rënë disi vitet e fundit, përparimi në luftën kundër këtij problemi ka qenë shumë i ngadalshëm.
Në vitin 2021, viti i fundit për të cilin ishin të disponueshme të dhëna, u regjistruan rreth 727.000 vetëvrasje në mbarë botën, thotë agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara.
Globalisht, vetëvrasja përbën më shumë se një në çdo 100 vdekje dhe për çdo vdekje ka 20 tentativa vetëvrasjeje. Këto vetëvrasje prekën shumë jetë dhe burime jetese të tjera, pasi miqtë, kujdestarët dhe të afërmit u detyruan të përballen me vështirësi të paimagjinueshme.
Raporti “Shëndeti Mendor Botëror Sot” i OBSH-së theksoi se vetëvrasja mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve tek të rinjtë nëpër gjeografi dhe kontekste socio-ekonomike. Në vitin 2021 ishte shkaku i dytë kryesor i vdekjeve për vajzat dhe gratë e moshës 15 deri 29 vjeç dhe shkaku i tretë për meshkujt në të njëjtën grupmoshë.
Megjithëse norma globale e vetëvrasjes sipas moshës ka rënë me 35% mes viteve 2000 e 2021, bota ende është larg objektivit të saj: në vend të uljes me një të tretën të normave të vetëvrasjes ndërmjet viteve 2015 e 2030, progresi aktual sugjeron se do të arrihet vetëm një ulje prej 12%, sipas OBSH-së.
Rënie u panë në çdo rajon, përveç kontinentit të Amerikës, ku norma e vetëvrasjes u rrit me 17% në të njëjtën periudhë. Gati tre të katërtat e të gjitha vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura më të ulëta, ku jeton pjesa më e madhe e popullsisë globale.
Edhe pse vendet më të pasura kanë një normë më të lartë vetëvrasjesh, në raport me popullsinë, vështirë të krahasohet, pasi ato gjithashtu kanë të dhëna më të sakta se vendet me të ardhura të ulëta, theksoi OBSH-ja.
Agjencia paralajmëroi se ndërsa normat e vetëvrasjeve kanë qenë në rënie të ngadaltë, përhapja e çrregullimeve mendore, si ankthi dhe depresioni, është në rritje.
Ndërmjet viteve 2011 dhe 2021, numri i njerëzve që jetojnë me çrregullime mendore u rrit më shpejt sesa popullsia globale.
Sipas gjetjeve më të fundit, më shumë se një miliard njerëz po jetojnë me çrregullime të shëndetit mendor. OBSH-ja shprehu shqetësim të veçantë për rritjen e shqetësimeve të shëndetit mendor tek të rinjtë.
Edhe pse ka një sërë faktorësh pas këtij rritjeje, Mark van Ommeren, drejtues i njësisë së shëndetit mendor në OBSH, tha se “dy hipotezat kryesore janë rrjetet sociale dhe ndikimi i pandemisë COVID”.