Shqipëria vijon të përballet me rënien e popullsisë. Në tre muajt e parë të vitit 2026, vendi regjistroi 368 vdekje më shumë sesa lindje, duke e çuar shtesën natyrore të popullsisë në territor negativ, njëjtë si në kohën e pandemisë.
Sipas të dhënave të INSTAT gjatë tremujorit të parë të vitit 2026 lindën 5.146 foshnje, ndërsa u regjistruan 5.514 vdekje. Edhe pse shtesa natyrore është negative, lindjet thuhet në raport u rritën me 1%, ndërsa vdekjet ranë me 7,4%.
Të dhënat konfirmojnë se sfida demografike mbetet një nga problemet më të mëdha për Shqipërinë, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e punës, ekonominë dhe sistemin e pensioneve.
Një nga problemet kryesore është edhe largimi i vazhdueshëm i popullsisë drejt vendeve të tjera europiane. Shumë të rinj zgjedhin të emigrojnë për shkak të mungesës së vendeve të punës, pagave të ulëta dhe kushteve më të mira të jetesës jashtë vendit. Si pasojë, vendi po humbet një pjesë të rëndësishme të fuqisë punëtore dhe të rinisë aktive.
Sfidat demografike janë më të dukshme edhe në zonat rurale, ku shumë fshatra po zbrazen nga banorët. Banorët shpërngulen drejt qyteteve të mëdha ose jashtë Shqipërisë në kërkim të mundësive më të mira. Kjo ka sjellë uljen e zhvillimit ekonomik në këto zona dhe mungesën e shërbimeve bazë.
Për të përballuar këtë situatë, nevojiten politika që mbështesin të rinjtë dhe familjet, krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i kushteve të jetesës. Investimet në arsim, ekonomi dhe zhvillimin e zonave rurale mund të ndihmojnë në uljen e emigracionit dhe në krijimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për vendin.