Aktualitet

18-vjeçarja u vetëplagos me armë zjarri në Tiranë, arrestohet partneri i saj!

I shpallur në kërkim, 22-vjeçari Erisjaldo Gjuta u arrestua nga policia. I riu është i dashuri i 18-vjeçares, e vetëplagosur me armë zjarri një ditë më parë, teksa ndodhej në dhomën e një hoteli në Tiranë, në pronësi të familjes së Gjutës.

Erisjaldo Gjuta akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, si edhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese e municionit”.

Njoftimi policor: 

Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin E.Gj., 22 vjeç, i shpallur në kërkim ditën e djeshme për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.

U raportua se vajza ishte vetëm në dhomën e gjumit kur qëlloi veten me armë. Sajmir dhe Erisjaldo Gjuta pretenduan se gjendeshin jashtë e dëgjuan të shtënën. Kur hynë në dhomën ku panë të vetëplagosurën, thirrën anëtarët e tjerë të familjes, Mirvete e Vladimir Gjuta e vendosën të pastronin vendin e ngjarjes.

Pasi fshehën armën, lanë gjakun dhe u nisën me makinë për ta dërguar në spital, duke u porositur të deklarojnë që “vajzën e gjetën të shtrirë te rrethi i Ekonomikut”.

Pas hetimit, rezultoi se në fakt, 18 vjeçarja ishte vetëplagosur në hotelin e tyre. Dyshohet se vajza ka tentuar edhe një herë tjetër për t’u vetëdëmtuar.