Aktualitet

200 viktima nga aksidentet, mbi 1.2 milion gjoba nga Rrugorja vitin e kaluar!

Në ditët e fundjavave, në rrugët e vendit, qarkullimi është më i dendur dhe numri i aksidenteve, më i lartë. Për t’i shmangur, sidomos ato me pasoja të rënda, Policia Rrugore bën apel që drejtuesit e automjeteve, si edhe përdoruesit e tjerë të rrugëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Të dhënat e marra nga Ministria e Brendshme, saktësojnë, se vitin e kaluar u regjistruan 1 mijë e 375 aksidente, me 200 të vrarë e 231 plagosur rëndë.

Në raport me 2024-ën, numri aksidenteve rrugore pësoi rënie me 17% dhe i viktimave në ato, shënoi rritje me 12%. Numri i të plagosurve rëndë u rrit me 6%.

Për vitin 2025, shkaqet kryesore të aksidenteve ishin:

Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, tejkalimi i shpejtësisë mbi normat e lejuara, parakalimi i gabuar, ndryshimi i papritur i drejtimit, sjellja e këmbësorit, mosdhënia përparësi, përdorimi i celularëve gjatë udhëtimit, si edhe rritja e numrit të automjeteve në qarkullim.

Gjatë 2025-ës u vunë 1 milion e 203 mijë e 926 masa administrative, një rritje me 2%, në raport me 2024-ën.

Me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe disiplinimin e qarkullimit rrugor, nga ana e strukturave të Policisë Rrugore, janë marrë edhe masa administrative plotësuese të aplikuara:

1.914 shtetas të arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 1.549 të arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi, 3.326 leje drejtimi të pezulluara, 2.402 mjete të ndaluara, 381 mjete të sekuestruara.