Aktualitet

“21 Janari”, Berisha: Garda veproi në përputhje me ligjin!

Ish-kryeministri Sali Berisha, tha sot se në protestën e 21 janarit 2011, ku u vranë 4 protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë, Garda e Republikës veproi në përputhje me ligjin.

Duke folur për gazetarët jashtë dyerve të SPAK-ut, pasi u paraqit në zbatim të detyrimit për paraqitje, Berisha u pyet në lidhje me thirrjen e ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha për dosjen e 21 Janarit. Ish-shefi i qeverisë tha se zbardhja e çështjes është në interesin e tij maksimal, si edhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se po pengon hetimet.

Ndër të tjera, vuri në dukje se nëse do t’i shkojë një fletëthirrje nga SPAK-u, ai do të paraqitet, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve.

Nuk ka pasur asnjë urdhër absolutisht nga askush dhe nuk do mund ta gjejnë kurrë se ka pasur urdhër se nuk ka pasur urdhër. Garda ka vepruar në përputhje me ligjin dhe vetëm ligjin, të miratuar nga mazhoranca socialiste para ardhjes sonë në pushtet.

Nuk ka asnjë diskutim që hetimi i plotë dhe zbardhja e kësaj çështje është interesi më maksimal i Sali Berishës dhe PD-së sepse ajo ishte e qartë një axhendë. Ajo ishte demonstrata më e dhunshme në historinë e vendit, me një axhendë politike, përmbysjen e pushtetit.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë mbetën të vrarë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në nëntor të vitit 2023, Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.

Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.