Pas më shumë se një ore e gjysmë, Lulzim Basha ka dalë nga SPAK.
“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim. Informacioni se për cilën çështje, ju lutem ta merrni drejtpërdrejt tek institucioni, pasi ligjërisht duhet të respektoj sekretin hetimor. Këto ishin gjithçka kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp, por duhet të prisni edhe pak”, u tha Lulzim Basha gazetarëve të interesuar për dëshminë e tij në SPAK.
Mësohet se Basha është paraqitur si person në dijeni për dosjen e “21 Janarit” që po hetohet nga SPAK.
Ai është paraqitur mbi bazën e një fletëthirrje të firmosur nga prokurori Alfred Shehu i cili po heton ngjarjet e dhunshme të 21 janarit ku u zhvillua demonstrata e udhëhequr nga opozita e asaj kohe drejtuar nga Edi Rama dhe ku humbën jetën 4 persona në Bulevard. Në kohën që ka ndodhur ngjarja, Basha mbante detyrën e ministrit të brendshëm, në atë kohë ndodhej në ambientet e kryeministrisë ku garda e Republikës hapën zjarr mbi demonstruesit duke vrarë 4 prej tyre. Për shkak të rifillimit të hetimeve, mbi bazën e të dhënave të ardhura nga SHBA që kanë të bëjnë me disa materiale audio të depozituara më pas nga gazetari Artan Hoxha dhe xhaxhai i viktimës Aleks Nika, SPAK ka regjistruar procedimin penal dhe është duke hetuar mbi rolin e zyrtarëve të lartë në demonstratën e dhunshme të asaj kohe. Basha është pyetur dhe më herët nga prokuroria e Tiranës.
LEXO EDHE: Firmosi me Berishën marrëveshjen për ushtarët grekë, Karamanlis homazhe në varrezat e Këlcyrës
Në 2020 Prokuroria rihapi hetimet dhe kërkoi aktekspertizë për predhën e nxjerrë në Turqi nga trupi i Aleks Nikës dhe më pas mbi bazën e të dhënave të reja, Prokuroria e rihapi këtë cështje, ku ka vetëm 2 të dënuar, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë shqiptare.