Shoferët e automjeteve, të parkuara dysh nëpër rrugët e Tiranës, deri sot gjobiteshin nëse efektivët e policisë i evidentonin. Tani e tutje, kryepolici Ilir Proda, paralajmëron që për këto shkelje të qarkullimit rrugor, shoferët të rrezikojnë deri në 3 vite burg.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht”, tha Proda.
LEXO EDHE: Ndërtimet pa leje në Theth, “furtunë” në policinë e Shkodrës/ Shkarkohen drejtuesit!
Secili efektiv që do të konstatojë automjete të parkuara në mënyrë të parregullt në rrugë, përbri një makine të parkuar anë rrugës, në vendet e taksive, stacionet e autobusëve apo vendqëndrimin e biçikletave, do ta referojë çështjen në prokurori sipas nenit 293 të Kodit Penal, i cili parashikon:
“Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht – tha në një deklaratë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda.
“Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, vijoi Proda.
Aktualisht, këta drejtues që i parkojnë keq makinat dhe bëhen shkak për bllokimin e rrugës ndëshkohen me gjobë nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë ose me largimin e mjetit me karrotrec, por pavarësisht masave të shumta administrative të vendosura nga policia, shkelja sërish është përsëritur.
