Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se 48 udhëheqës iranianë janë vrarë gjatë sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se operacioni “po ecën përpara me shpejtësi” dhe e cilësoi si një sukses të madh.
“Askush nuk mund ta besojë suksesin që po kemi. 48 udhëheqës janë zhdukur menjëherë,” tha ai, duke shtuar se ofensiva po vijon.
Agjencitë e inteligjencës amerikane dhe izraelite, përfshirë CIA-n, kishin monitoruar prej muajsh lëvizjet e liderit suprem iranian, Ali Khamenei, si dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë politikë e ushtarakë.
Sipas raportimeve, në ditët e fundit ishin zbuluar plane për takime të ndara të Khameneit dhe drejtuesve të tjerë në një kompleks në Teheran, ku ndodhen zyrat e liderit suprem, presidenca iraniane dhe aparati i sigurisë kombëtare, çka i kishte bërë ata të cenueshëm ndaj një sulmi.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet iraniane lidhur me pretendimin e Trump për numrin e viktimave në radhët e udhëheqjes së lartë.
Izraeli njoftoi sot se kishte nisur një “valë të gjerë sulmesh” në “zemrën e Teheranit”, ndërsa Irani është hakmarrë duke vazhduar të sulmojë bazat ushtarake izraelite dhe amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Trump thotë se do të përdorë “fuqi që nuk është parë kurrë më parë” si kundërpërgjigje.
Në disa qytete të Iranit ka shpërthyer festa, në të tjera rrugët janë mbushur me vajtues. Një banor tha se “bota është bërë një vend më i mirë” pas vdekjes së Khameneit.
Vdekja e Khameneit ka shkaktuar protesta në Pakistan, ku të paktën nëntë persona janë vrarë pranë konsullatës amerikane. Hamasi, Hezbollahu, Iraku e Rusia kanë shprehur ngushëllimet e tyre duke dënuar vrasjen e Khameneit.