Bota

Netanyahu paralajmëron: Sulmet ndaj Iranit do të shtohen në ditët në vijim!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se sulmet ndaj Teheranit do të intensifikohen edhe më shumë në ditët e ardhshme.

Duke folur nga selia e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit në Kirya, Tel Aviv, Netanyahu tha se ka dhënë udhëzime për vazhdimin e fushatës ushtarake kundër Iranit, pas një takimi me ministrin e Mbrojtjes, shefin e Shtabit dhe kreun e shërbimit sekret Mossad.

“Forcat tona po godasin zemrën e Teheranit me forcë gjithnjë e më të madhe, dhe kjo do të rritet edhe më shumë në ditët në vijim,” u shpreh ai.  Ai foli për viktimat, ku tha “Zemra ime është me familjet e të prekurve. ”

Kryeministri theksoi se Izraeli po përdor “të gjithë forcën e IDF” në një fushatë që, sipas tij, synon të sigurojë ekzistencën dhe të ardhmen e vendit.

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e dytë, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të situatës në rajon. Pas konfirmimit të vdekjes së liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, Teherani ka paralajmëruar hakmarrje të ashpër.

Garda Revolucionare deklaroi se do të ndërmarrë “operacionin më të egër ofensiv në historinë e vendit”, ndërsa njoftoi nisjen e sulmeve me raketa dhe dronë në shkallë të gjerë ndaj 27 bazave ushtarake amerikane dhe objektivave izraelite në rajon.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit konfirmuan një valë të re bombardimesh ndaj objektivave në Teheran. Forcat Ajrore Izraelite po kryejnë një operacion ajror në shkallë të gjerë kundër “objektivave të regjimit iranian në zemër të kryeqytetit”.

Televizioni shtetëror iranian raportoi për vrasjen e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Abdolrahim Musavi, si dhe të Ministrit të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh. Mes viktimave të konfirmuara janë edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpur, dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes, Ali Shamkhani.

Po ashtu, agjencia “Fars” njoftoi se gjatë sulmeve u vra edhe shefi i inteligjencës së policisë iraniane, Gholamreza Rezaian. Irani ka shpallur ndalimin e hyrjes së anijeve amerikane në Gjirin Persik dhe pezullimin e tregtisë përmes Ngushticës së Hormuzit.