Aktualitet Politikë

500 familje në banesa të reja/ Rama në Laç flet për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti dhe ironizon opozitën

Mbi 500 familje në Laç, do të futen në banesat e reja të rindërtuara për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Të pranishëm në ceremoninë e dhurimit të banesave ishin kryeministri Edi Rama, ambasadori turk Murat Ahmet Yörük, si dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Qeverisë tha se investimet në këtë qytet janë pjesë e programit për rindërtimit, ku kanë përfituar 49 mijë familje shqiptare.

Rama deklaroi se mezi po e priste këtë moment, pasi shumë njerëz ishin skeptikë në lidhje me rindërtimin e banesave.

Nga rrënojat dhe dëshpërimi prej pabesisë së tërmetit, sot ka shpresë për një jetë të re. Me atë partinë tjetër bëni kujdes mos u ndërrojmë bravën. Kam dy vite që mezi e pres këtë moment. Rindërtimi nuk është bërë për socialistët por për të gjitha familjet shqiptare të prekura nga tërmeti. Nga dheu do t’i nxjerr lekët dhe ju do të hyni në shtëpi më të mira se ato që keni këtu. Shtëpitë pavarësisht se nga kush janë financuar, në këtë rast janë i qeverisë turke, i atij mikut tim! U gjend krah nesh si të kishte lindur këtu, duke vënë në dispozicion gjithë miqësinë. Janë 49 mijë familje shqiptare që kanë përfituar nga programi i Rindërtimit, ky program është financuar me gjithë forcën e shpirtit masivisht nga qeveria shqiptare. Familjet nuk ngarkohen nga asnjë kredi. kjo ishte sfida jonë, Atyre që bëjnë komente jo po i keni bërë me borxhe, ju them po! Patjetër për të mbështetur njerëzit e vet në nevojë këtë duhet të bëje një qeveri për njerëzit e vet. Si jepni si nuk i jepni votat për mua jeni shqiptar. Për mua ka rëndësi që shkoni në shtëpi e do të më kujtoni. Edhe do të më shani, por për mua nuk ka problem.- tha Rama.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama nuk ngurroi të thumbonte edhe opozitën, duke thënë se qeveria ofron banesa, ndërsa PD, vetëm brava, duke kujtuar këtu krisjen e brendshme të asaj partie. Sakaq, kryeministri falënderoi presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan dhe Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë.