Vit i zi për humbjet në radhët e gazetarëve, me 54 viktima në nivel global. Në raportin vjetor të Reporterëve pa Kufij, thuhet se kanë humbur jetën kur ishin në krye të detyrës ose thjesht për shkak të profesionit. Territorin palestinez, dokumenti e veçon si më të rrezikshmin për gazetarët, me numrin më të lartë të të vrarëve në pesë vitet e fundit. Ndërkaq, ushtria izraelite bëhet përgjegjëse për vdekjen e 16 gazetarëve në Gaza, si edhe dy të tjerëve në Liban.
Organizata njofton se në Gjykatën Ndërkombëtare Penale bëri kallëzime për “krime lufte të kryera kundër gazetarëve nga ana e ushtrisë izraelite”.
Më shumë se 145 gazetarë janë vrarë nga ushtria e Izraelit në Gaza, që prej nisjes së luftës, në tetor të vitit 2023. 35 prej tyre ishin duke punuar në kohën kur u vranë.
Numrin e vrasjeve, organizata e ka përshkruar si “gjakderdhje të pashembullt”. Në një tjetër raport, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) vë në dukje se 104 gazetarë janë vrarë më 2024-ën e më shumë se gjysma e tyre, në Gaza.
Shifrat e dy organizatave kanë dallime se siç mësohet, ato kanë përdorur metodologji të ndryshme për të bërë mbledhjen e të dhënave. Reporterët pa Kufij kanë përfshirë në listë vetëm gazetarët, për të cilët është vërtetur se vdekja iu ka ardhur nga arsye të lidhura me aktivitetin profesional.
Shteti hebraik po mohon të ketë vrarë me qëllim gazetarët, por e ka pranuar se disa mund të jenë humbur jetën, si pasojë e sulmeve ajrore. Pas Gazës, vendi më vdekjeprurës për gazetarët më 2024-ën është Pakistani e më pas janë Bangladeshi dhe Meksika.
Deri më 1 dhjetor 2024, 550 gazetarë mbahen në burgje në botë, referuar materialeve të mbledhura nga Reporterët pa Kufij. Tri shtetet me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur janë Kina, Mianmari, si dhe Izraeli.