Çmimi Sakharov 2025 u është ndarë dy gazetarëve – polako-bjellorusit Andrzej Poczobut dhe gjeorgjianes Mzia Amaglobeli – të cilët janë duke vuajtur dënime në burgim për akuza të lidhura me punën e tyre në raportimin mbi demokracinë dhe shoqërinë civile.
Konferenca e Presidentëve e Parlamentit Evropian, që përbëhet nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, dhe nga udhëheqësit e tetë grupeve politike, e shpalli fituesit më 22 tetor.
“Të dy janë gazetarë që ndodhen në burg për akuza të sajuara, thjesht sepse kanë bërë punën e tyre dhe kanë ngritur zërin kundër padrejtësisë”, tha Metsola duke i shpallur fituesit.
“Guximi që kanë treguar i ka shndërruar në simbole të luftës për liri dhe demokraci. Ky institucion qëndron përkrah tyre dhe përkrah të gjithëve që vazhdojnë të kërkojnë liri”, shtoi ajo.
Studentët serbë që kanë protestuar kundër Qeverisë në Beograd për më shumë se një vit, si dhe gazetarët dhe punonjësit e ndihmës humanitare në Palestinë, ishin gjithashtu në listën e ngushtë për çmimin prej 50.000 eurosh.
Çmimi më i lartë i Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut u krijua në vitin 1988 në nderim të shkencëtarit dhe disidentit rus Andrei Sakharov dhe është bërë një nga mjetet kryesore të komunikimit publik të Parlamentit, ndërsa regjimet shtypëse shpesh reagojnë ashpër ndaj ligjvënësve evropianë për disa nominime apo fitues të këtij çmimi..
Ndër laureatët e mëparshëm janë ish-presidenti i Afrikës së Jugut Nelson Mandela, lideri i opozitës ruse Aleksie Navalny dhe aktivistja pakistaneze për arsim, Malala Yousafzai.