Shkon në 773 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri, 7 raste pozitive u konfirmuan në 24 orë nga 225 të testuar si të dyshuar. Harta e të prekurve zgjerohet në Krujë, Tiranë e Shkodër. 15 pacientë të tjerë u shëruan e totali shkon në 470, ndërsa 31 janë viktimat, më i fundit një i moshuar nga Shkodra. Pavarësisht luhatjeve të të dhënave ditore, autoritetet thonë se situata është e kontrolluar, çka sipas tyre e tregon numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale me koronavirus. Gjithashtu e dëshmon numri i ulët i pacientëve që patën nevojë për frymëmarrje të drejtuar. Një fabrikë e prodhimit të pijeve energjike në Shtoj të Shkodrës është vatër e re koronavirusi në vend. Aty u infektua një punëtor.