Tre persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe përdorimit të armëve të ftohta në fshatin Lupç të Podujevës, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime pasi është sulmuar me thikë.
Sipas “Express”, autoritetet kanë thënë se hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për zbardhur ngjarjen.
“Sot rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Lupç të Podujevës. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast janë plagosur nga arma e zjarrit tre persona, ndërsa një person ka pësuar lëndime nga arma e ftohtë (thikë). Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë policia.
Dyshohet se numri i të plagosurve është katër.
Sipas burimeve, incidenti ka ndodhur mes disa anëtarëve të familjes Menxhiqi.
Një pjesëtar i kësaj familjeje dyshohet të ketë therrur me thikë katër kushërinj të tij.
Konteksti i këtij konflikti nuk dihet, ndonëse burimet pohojnë se të njëjtit, kanë pasur probleme edhe në të kaluarën.