Botë e Çuditshme Travel

77-vjeçari nis udhëtimin e tij rreth botës me motoçikletë: “Nuk e di kurrë sa kohë ke…”

Për të nisur një udhëtim rreth botës nuk është kurrë vonë. Këtë e tregon më së miri rasti i 77-vjeçarit Stephen Barnett, i cili u nis nga Madridi në një udhëtim prej 80,000 km duke kaluar nëpër 27 vende, me qëllim që të bëhej personi më i vjetër që udhëton rreth botës me motoçikletë. Një udhëtim ambicioz i jetës ka filluar për 77-vjeçarin amerikan, ish-mësuesi që ia ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës udhëtimeve me motor. Që kur mori biçikletën e tij të parë në moshën 15 vjeç, ai nuk ka pushuar kurrë së eksploruari botën, duke vizituar tashmë pothuajse 80 vende.

Sot, duke u nisur nga Madridi, ai nisi një aventurë të re që parashikon një itinerar prej mbi 80,000 kilometrash dhe që kalon nëpër 27 vende. Udhëtimi i tij përfshin, ndër të tjera, ndalesa në Francë, Itali, Greqi, Turqi, por edhe destinacione më të largëta si Australia dhe Peruja. Udhëtimi, i cili pritet të zgjasë rreth një vit, u vendos pas një problemi serioz shëndetësor, pasi Barnett pësoi një atak në zemër vitin e kaluar, gjë që e bëri të rivlerësonte prioritetet e tij.

“Nuk e di kurrë sa kohë ke”, tha ai në një intervistë me CNN, duke shpjeguar se nuk donte ta shtynte më tej ëndrrën e tij. Frymëzimi për rrugëtimin e ri erdhi nga një artikull i CNN Travel rreth Bridget Mccutchen, e cila kishte vendosur si qëllim të bëhej gruaja më e re që ngiste një motoçikletë përreth botës. Historia e saj e bëri Barnett të mendonte se ai mund të realizonte një rekord të ngjashëm, por për një moshë më të madhe.