Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sot foli me tone kritike në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, në Kryesinë e Kuvendit, lidhur me futjen në Kalendarin e punimeve të 8 ligjeve të Paketës Fiskale.
Sipas tij, kjo është në shkelje të Kushtetutës, ndërsa e konsideroi të papranueshme futjen në kalendarin e punimeve, duke shtuar se “hedh në erë çdo procedurë parlamentare”.
Bardhi kërkoi llogari nga kryeparlamentari Niko Peleshi, duke e paralajmëruar se ndjekja e një procedure të tillë parlamentarë, do të shkojë në Kushtetuese.
T’u lini vetëm 24 orë kohë për të diskutuar 8 ligje mund ta bëni vetëm ju, dhe nuk e di, Kryetar, kush ju shtyn ta bëni këtë. Po jua them këtu se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, paralajmëroi Bardhi.
Keni futur në kalendar 8 ligje të Paketës Fiskale. I keni futur për seancë, në shkelje të plotë të Kushtetutës. Këto ligje iu janë dhënë deputetëve në datën 14 nëntor dhe kërkoni t’i miratoni nesër.
Kjo është e papranueshme dhe hedh në erë çdo procedurë parlamentare. T’u lini vetëm 24 orë kohë për të diskutuar 8 ligje, mund ta bëni vetëm ju.
Dhe nuk e di, Kryetar, kush ju shtyn ta bëni këtë. Po ua them këtu se kjo çështje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.