Politikë

Misioni i PPE takohet me Grupin Parlamentar të PD-së, Bardhi: Zhvillimet në Shqipëri në fokusin europian!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e sheh takimin me përfaqësues të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, që kanë ardhur në Tiranë në një mision faktmbledhës për zgjedhjet e vitit të shkuar, si një sinjal që Shqipëria, vend kandidat i BE-së, është në fokusin europian.

Në një postim në Facebook, Bardhi ndau detaje mbi takimin e europarlamentarëve në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësues të opozitës, duke i përshkruar diskutimet si ‘të hapura dhe serioze’ për çështje që sipas tij, shqetësojnë çdo qytetar shqiptar.

“Sot, së bashku me kolegët e Kryesisë së Grupit Parlamentar, u takuan në Kryesinë e Kuvendit me përfaqësues nga 28 parti simotra të Partisë Popullore Europiane, përfshirë eurodeputetë.  Në një diskutim të hapur dhe serioz, trajtuam çështjet që shqetësojnë çdo qytetar: zgjedhjet, deformimin e demokracisë, kapjen e institucioneve, pengimi i drejtësisë dhe rrezikun e një shteti të dominuar nga interesa të kriminale.  Ky mision faktmbledhës nuk është thjesht një vizitë protokollare. Është një sinjal i fortë se zhvillimet në Shqipëri janë tashmë në fokusin europian. Rezolutat e PPE-së po konkretizohen me verifikim në terren dhe me dëgjimin e fakteve” tha Bardhi duke falenderuar PPE-të për mbështetjen.

Pjesë e axhendës së misionit faktmbledhës të Partive Popullore Evropiane në Tiranë janë edhe takime me KQZ-në, shoqërinë civile dhe median.

LEXO EDHE: Bardhi: Avokatët e Ballukut e pranuan që nuk ka ndërhyrje politike, SPAK foli për miliona euro dëm në buxhetin e shtetit

Më herët gjatë së mërkurës, delegatët takuan edhe Sali Berishën dhe deputetët e PD-së në pushtetin vendor  por edhe me ambasadorët kryesorë në vendin tonë si  ambasadorin e BE-së, OSBE-së, ambasadorin gjerman, italian dhe të ngarkuarën me punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Në Kryesinë e Kuvendit ata u takuan me deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së, si dhe me përfaqësues të partive politike opozitare, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Agron Duka, në një tryezë ku u diskutua për situatën në Shqipëri. Në takimin në Kuvend, nuk mungonin as krerët e partive të vogla si Agron Shehaj i Partisë Mundësia ndërsa partia Shqipëria Bëhet përfaqësohej nga Adriatik Lapaj dhe jo Ana Dajko e cila është deputete në parlament.