Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sot iu drejtua personave me aftësi të veçanta duke theksuar se nuk do të diskutohet më çështja e karrocave dhe mjeteve që iu duhen atyre.
Lista e ilaçeve, e kam premtuar zyrtarisht e solemnisht do të jetë identike me të Italisë. Do ta marrim, ta përkthejmë fjalë për fjalë dhe në Shqipëri nuk do të shitet kurrë ilaç që nuk shitet në dy vende të BE-së, pra ilaç që nuk është miratuar nga Enti europian i Cilësisë dhe Kontrollit të Ilaçeve, tha Berisha në një bashkëbisedim me persona me aftësi të kufizuara.
Kreu i PD-së u shpreh se “ne nuk jemi të pasur si Italia, por në disa gjëra do të barazohemi”.
Do të barazohemi në qëndrimin ndaj të sëmurëve, në qëndrimin ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Berisha shtoi se pensionistët janë përjashtuar nga check-up/i.
Ne do t’ua bëjmë pensionistëve analizat falas. Analizat e përgjithshme dy herë në vit. Çdo pensionist që të dëshirojë do të ketë mundësi të kontrollojë shëndetin e tij. Nuk do të mund të diskutohet më çështja e karrocave, çështja e mjeteve të tjera që ju duhen juve.
Ne do të bëjmë gjithçka për rehabilitimin. E kam theksuar dhe e theksoj se ky është një sektor mungestar në Shqipëri. Ju siguroj që investimet më serioze do të bëhen në sektorin e rehabilitimit, në mënyrë që secili qytetar me aftësi ndryshe, të mund të zhvillojë, të përmirësojë aftësitë e tij, të ushtrohet e të rehabilitohet.
Rehabilitimi këtu është pothuajse inekzistent. Ose po të duash ta marrësh, është shumë i kushtueshëm dhe nuk përballohet.
Ne nuk jemi ende një vend i pasur, por ne jemi, ua them unë ju me garancinë më të madhe, me vërtetësinë më të madhe, se ne jemi një vend, i cili në rast se përdor me transparencë dhe drejtësi buxhetin e vet, nuk do ketë asnjë shqiptar në gjendje mjerimi. Qeveria disponon çdo vit të ardhurat që mbledh nga qytetarët dhe duhet që t’i shpërndajë me drejtësi.