Data 26 gusht shënon 115-vjetorin e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, botërisht e njohur si Nënë Tereza. Nobelistja u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare. Të gjithë jetën e saj ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë.
Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi urdhrin e Misionareve të Bamirësisë, që u shndërrua në një nga organizatat humanitare më të njohura në botë. Punoi për të ndihmuar njerëzit më të margjinalizuar. Për përkushtimin e treguar, në vitin 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqen.
Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.
Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër.
Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t’u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij. Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme: të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzorë.
Duke filluar nga viti 1980 e deri më 1990-ën, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II, të dielën XXIX gjatë vitit kishtar, Ditën Misionare Botërore, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë kremtimit solemn e madhështor të Meshës, kryesuar nga Papa Wojtila.
Më 17.12.2015, Papa Françesku nënshkroi dekretin për Shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj: shërimin e një besimtari brazilian të sëmurë me tumor në kokë. Më 4 qershor 2016, nga Papa Françesku u kremtua Shenjtërimi i Nënë Terezës në Vatikan, në kuadrin e Vitit Jubilar të Mëshirës Hyjnore.