Në Digitalb, gara e Formulës 1 dhuroi spektakël, ndërsa triumfoi Mercedes që fitoi garën e dytë sezonale. Andrea Kimi Antonelli me Mercedes u shpall kampion në çmimin e madh të Shangait, ndërsa George Russell po me Mercedes u rendit i dyti dhe Lewis Hamilton me Ferrari, i treti.
Fundjava në Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1, ishte perfekte për Andrea Kimi Antonelli-n. Fillimisht, piloti 19 vjeçar italian siguroi pole position duke vendosur një rekord të ri në historinë e këtij kampionati e më pas fitoi garën me italianin, që në përfundim, nuk i përmbajti emocionet dhe lotët e gëzimit.
Më vjen për të qarë. Falënderoj skuadrën që më ndihmoi të bëj këtë ëndërr realitet. Në fakt e kisha ëndërruar. Është një fitore që të shijon. Jam me të vërtetë i lumtur, e thashë edhe të shtunën që doja ta ktheja Italinë në shkallën më të lartë të podiumit e ia dola mbanë. Thuajse pata një infarkt të vogël me bllokimin kur kishin mbetur tre xhiro nga fundi, por ishte një garë e bukur.
Antonelli theksoi se këtë fitore ia dedikon familjes dhe miqve të tij.
Ia dedikoj fitoren familjes dhe të gjithë miqve të mi. Nisja ishte e vështirë, e mbulova shumë pjesën e brendshme dhe i hapa rrugë Ferrarit, por ritmi ynë ishte më i lartë e ia dola. Me gomat e mesme, George kishte më shumë ritëm, por me gomat e forta, unë isha më mirë.
Gara për titullin?
Ende jemi në fillim dhe George është shumë i fortë, në çdo aspekt. Nuk do të jetë e lehtë për ta thyer, por po mësoj shumë prej tij. Për mua është një mundësi e madhe për t’u rritur. Tani të marrim garat me radhë e më pas të shohim çfarë do të ndodhë. E arrita objektivim tim dhe është një pikë nisjeje e rëndësishme. Që nga ky moment do të kem një qasje më të qetë, por do të duhet të vijoj të shkel gazin.