Health & Beauty

A duhet të hiqet nishani? Këto janë shenjat që kërkojnë ekzaminim urgjent dermatologjik!

Nishanet janë rritje të zakonshme në lëkurë dhe secili prej nesh ka mesatarisht 10 deri në 40 nishane. Shumica e tyre janë të padëmshëm. Kontrolli i tyre është një procedurë rutinë parandaluese shëndetësore që kryhet një herë në vit pas moshës 12-vjeçare. Lëkura ekzaminohet me dermoskop. Ekzaminohen të gjitha ndryshimet e lëkurës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë ndryshimeve të pigmentuara. Ndryshimet e pigmentuara që vërejmë me dermoskop mund të jenë kafe të errëta ose më pak të errëta, të kuqe, blu ose të bardhë.

Përveç nishaneve me të cilët kemi lindur, ka edhe nga nishane që shfaqen me kalimin e kohës si në zonat e mbuluara, ashtu edhe në ato pjesë të trupit që janë të ekspozuara ndaj rrezeve të diellit. Disa nishane melanocitare shfaqen që në lindje dhe në moshë të hershme, në të ashtuquajturat lytha të lindur ose kongjenital. Disa prej tyre zhvillohen gjatë gjithë jetës dhe mund të gjenden në zonat e lëkurës të ekspozuara ndaj diellit dhe në zonat e mbuluara. Edhe pse rrezet e diellit nuk janë i vetmi faktor në transformimin malinj të nishaneve melanocitare, nishanet gjithsesi duhet të mbrohen nga ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve UVA, UVB, UVC, si dhe ndaj rrezeve infra të kuqe të spektrit të diellit.

Është e rëndësishme që çdo ndryshim në nishan të vërehet me kohë dhe të kontaktohet dermatologu. Ndryshimet malinje në nishan shfaqen si ndryshime në formë asimetrike, në karakteristikat e skajeve të nishanit që bëhen të theksuara apo të çrregullta, ndryshime në ngjyrë (shfaqja e të kuqes, bardhës dhe kaltrës mbi bazën kafe të nishanit melanocitik), paraqitja e ngritjes mbi sipërfaqen e nishanit, rritja e nishanit në një njësi kohe (A, B, C, D, E).

Ndryshimet malinje mund të paraqiten në nishanet ekzistuese melanocitike. Duhet pasur parasysh edhe faktin që melanoma malinje mund të zhvillohet në rreth 30 për qind të rasteve mbi ndryshime të reja që nga fillimi kanë potencial malinj. Prandaj këshillohet kontrolli rutinë i nishaneve një herë në vit edhe për ata pacientë tek të cilët në kontrollin e mëparshëm nuk janë vërejtur shenja në nishanet ekzistuese. Statistikat tregojnë se më të rrezikshëm janë nishanet në gjymtyrët e poshtme te gratë dhe në trungun e trupit; në kraharor dhe shpinë te meshkujt. Duhet kontrolluar edhe për praninë e mundshme të nishaneve në regjionin gjenital. Kur vërehet një nishan me shenja atipie (nishan displastik), ai hiqet me rrugë kirurgjikale dhe dërgohet për analizë histopatologjike.

Në disa raste shqyrtohet edhe nyja limfatike regjional. Vëzhgohet thellësia e përhapjes së melanociteve sipas Breslow-it dhe Clark-ut si dhe potenciali malinj i qelizave individuale. Nëse pacienti ka numër të madh nishanesh displastike rekomandohet që pacienti të dërgohet për skanim me MoleMax apo FotoFinder për të ndjekur lokalizimin dhe ndryshimet në njësi kohe të të gjithë nishaneve ekzistues. Lëkura e pacientit me numër më të madh nishanesh potencialisht displastike duhet të mbrohet me rroba që kanë faktor mbrojtës SPF, me kremra me bllokues dielli dhe me fotombrojtje orale.