Health & Beauty

Studimi britanik zbulon se kanceri i lëkurës prek zona të ndryshme të trupit tek burrat dhe gratë?

Një studim i ri nga “Qendra e Studimit të Kancerit” në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se zonat e trupit më të prekura nga kanceri i lëkurës ndryshojnë në varësi të gjinisë.

Sipas të dhënave, te burrat katër nga dhjetë raste të melanomës – një nga format më të zakonshme të kancerit të lëkurës – u shfaqën në pjesën e sipërme të trupit, përfshirë gjoksin, shpinën, kraharorin dhe barkun.

Ndërsa te gratë, rreth 35% e rasteve të melanomës u regjistruan në gjymtyrët e poshtme, nga ijët deri te këmbët.

Mjekët shpjegojnë se kjo mund të lidhet me mënyrën e ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë (UV), ku burrat zakonisht ekspozojnë pjesën e sipërme të trupit, ndërsa gratë kanë tendencën të zbulojnë këmbët gjatë ditëve me diell.

Studimi thekson se 87% e rasteve të kancerit të lëkurës kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve UV.

Vitin e kaluar, në Mbretërinë e Bashkuar u regjistrua një rritje alarmante prej 25% të rasteve të reja me kancer të lëkurës, duke arritur një rekord historik.

Michelle Mitchell, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Studime të Kancerit, apeloi që çdo ndryshim i pazakontë në lëkurë të mos neglizhohet.

Nëse vini re ndonjë nishan që ka ndryshuar formë, madhësi, ngjyrë apo pamje, është thelbësore të konsultoheni menjëherë me një mjek. Diagnoza e hershme mund të shpëtojë jetë

Edhe Fiona Osgun, drejtoreshë e informacionit në të njëjtën qendër, theksoi rëndësinë e mbrojtjes nga dielli, veçanërisht me afrimin e motit të ngrohtë.

Djegiet nga dielli, edhe kur ndodhin rrallë, mund të trefishojnë rrezikun për t’u prekur nga melanoma

-deklaroi ajo, duke shtuar se rreziku nga rrezet UV nuk ndalet vetëm në ditët me diell – ato mund të jenë të dëmshme edhe kur moti është me re.

Çfarë është kanceri i lëkurës dhe cilat janë llojet?

Kanceri i lëkurës ndodh kur ADN-ja e qelizave dëmtohet dhe ato fillojnë të ndahen në mënyrë të pakontrolluar, duke formuar qeliza anormale që mund të përhapen në trup. Llojet më të zakonshme përfshijnë:

-Karcinoma e qelizave bazale

-Karcinoma e qelizave skuamoze

-Melanoma (më e rënda dhe më e rrezikshmja)

Shkaktarët kryesorë të kancerit të lëkurës:

1. Rrezet UV nga dielli – Shkaktari kryesor, sidomos në fëmijëri.

2. Pajisjet për nxirje artificiale – Po aq të rrezikshme sa ekspozimi natyral në diell.

3. Mutacione gjenetike – Të trashëguara ose të fituara gjatë jetës.

4. Faktorë të tjerë– Ekspozimi ndaj rrezeve X, kimikateve si arseniku, apo dëmtime të mëparshme në lëkurë.

Çfarë nuk e shkakton kancerin e lëkurës?

– Tatuazhet – Nuk ka prova që shkaktojnë kancer, por mund të maskojnë shenja të hershme.

Kremrat kundër diellit dhe produktet kozmetike janë të sigurta, por nëse keni dyshime, konsultohuni me dermatologun.

Kush është më i rrezikuar?

-Personat me lëkurë të çelët apo me quka

-Ata që janë djegur rëndë në të kaluarën

-Njerëzit që kanë kaluar shumë kohë në diell

Personat me nishane të shumta ose anormale

-Ata me histori familjare me kancer të lëkurës

-Personat me imunitet të dobët

-Ata që janë ekspozuar ndaj arsenikut apo kimikateve të tjera

Ekspertët bëjnë thirrje për vigjilencë dhe kujdes të shtuar gjatë muajve të verës, duke nënvizuar se mbrojtja nga dielli dhe kontrollet e rregullta te mjeku janë armët më të forta kundër kancerit të lëkurës.