Ngërçi i muskujve është një tkurrje e papritur dhe e pavullnetshme që shpesh shoqërohet me dhimbje të mprehta. Ky problem i zakonshëm ndodh më së shumti në këmbë dhe mund të zgjasë nga disa sekonda në disa minuta, duke ndikuar ndjeshëm në rehatinë fizike.
Shkaktarët më të zakonshëm përfshijnë ushtrimet intensive, dehidratimin, tendosjen e muskujve apo qëndrimin për një kohë të gjatë në një pozicion të caktuar.
Megjithatë, edhe faktorë të tjerë si mungesa e mineraleve (kalium, kalcium, magnez), shtypja e nervave në shtyllën kurrizore, apo qarkullimi i dobët i gjakut mund të shkaktojnë ngërçe të dhimbshme.
Sipas mjekëve, ngërçet mund të lidhen edhe me përdorimin e disa medikamenteve, përfshirë ato për tensionin e lartë të gjakut, si nifedipina.
Faktorët e rrezikut përfshijnë:
– Moshën e shtyrë (humbje e masës muskulore)
– Dehidratimin
– Shtatzëninë
– Sëmundjet kronike si diabeti, problemet me mëlçinë apo tiroiden
Parandalimi është i mundur përmes:
– Marrjes së mjaftueshme të lëngjeve
– Shtrirjes së muskujve para dhe pas aktivitetit fizik
– Ushtrimeve të lehta para gjumit, si çiklizmi në biçikletë stacionare apo “streching”
Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore?
Nëse ngërçet janë të shpeshta, shoqërohen me ënjtje, skuqje, dobësi të muskujve, ose dhimbje të forta, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek për të përjashtuar probleme më serioze shëndetësore.