Në një botë ku ushqimi nuk është më vetëm nevojë biologjike, por pjesë e identitetit dhe kulturës sonë, shkencëtarët po paralajmërojnë për një fenomen të ri psikologjik që po përhapet me shpejtësi: “zhurma e ushqimit”.
Një studim i publikuar në vitin 2023 nga revista shkencore “Nutrients” e përkufizon këtë term si një preokupim të vazhdueshëm dhe obsesiv me ushqimin, një formë mendimesh të pandërprera për vaktin e ardhshëm, recetat, kaloritë apo edhe mënyrën e konsumimit të ushqimit.
Ekspertët theksojnë se “zhurma e ushqimit” nuk ka lidhje vetëm me urinë. Ajo lidhet me mendime që na shoqërojnë gjatë gjithë ditës: nga planifikimi i vakteve te shikimi i videove të gatimit në TikTok apo kërkimi i ushqimeve online edhe kur nuk jemi të uritur.
Në këtë realitet digjital, ushqimi shpesh kthehet në një mjet për ngushëllim emocional, për të menaxhuar stresin apo ankthin dhe jo domosdoshmërisht në një përgjigje ndaj nevojës fizike.
Pse ndodh kjo “zhurmë”?
Sipas studiuesve, ekzistojnë disa arsye kryesore:
-Stimujt e brendshëm, si uria apo ndjesitë fizike që lidhen me mungesën e energjisë.
-Stimujt e jashtëm, si reklamat, videot e gatimit, aromat e ushqimit apo ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve ushqimore në rrjete sociale.
Në të njëjtën kohë, industria ushqimore dhe marketingu agresiv kanë krijuar një mjedis ku jemi bombarduar çdo ditë me mesazhe rreth ushqimit “bio”, “organik”, “pa sheqer”, “super ushqim”, që shpesh e bëjnë të vështirë të dallojmë nëse kemi uri të vërtetë apo thjesht dëshirë.
Kur bëhet problem?
Fenomeni bëhet shqetësues kur fillon të ndikojë në jetën e përditshme:
-Ndikon në përqendrim, gjumë dhe produktivitet.
-Shkakton ankth për mënyrën e të ushqyerit.
-Na bën të shmangim evente shoqërore për shkak të frikës nga ushqimi.
-E përdorim ushqimin si mënyrë për të mbushur boshllëqe emocionale.
Në këtë pikë, ekspertët thonë se nuk bëhet fjalë më për “uri” fizike, por për uri emocionale.
Si ta qetësojmë “zhurmën”?
Specialistët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë:
-Të ushqyerit me vetëdije – ngrënia pa telefona apo TV, duke u fokusuar në shijen dhe ndjesinë e trupit.
-Dallimi i urisë reale nga ajo emocionale.
-Vendosja e një rutine të qëndrueshme ushqimore.
-Reduktimi i ekspozimit ndaj reklamave dhe përmbajtjeve ushqimore në rrjetet sociale.
-Konsultimi me një nutricionist ose psikolog, në rast se obsesi bëhet i vështirë për t’u kontrolluar.
Edhe pse “zhurma e ushqimit” nuk është ende një diagnozë klinike, studiuesit e lidhin atë me koncepte si uria hedonike dhe varësia emocionale nga ushqimi.
Në një kohë kur trupi, dieta dhe imazhi personal janë kthyer në tema të debatit publik, ky fenomen tregon se ndonjëherë lufta më e madhe që zhvillohet rreth ushqimit, është ajo që ndodh në mendjen tonë.