Health & Beauty Lifestyle

Nuk është vetëm ushqimi? Pse barku zmadhohet me kalimin e moshës edhe kur pesha mbetet e njëjtë?

Me kalimin e viteve, shumë njerëz vënë re se beli fillon të zgjerohet edhe pse pesha trupore nuk ndryshon ndjeshëm. Deri më tani, kjo është lidhur kryesisht me metabolizmin më të ngadaltë, ndryshimet hormonale ose mungesën e aktivitetit fizik. Megjithatë, një studim i ri sugjeron se shkaku mund të jetë shumë më kompleks.

Një hulumtim i realizuar nga studiuesit e institutit amerikan “City of Hope” ka zbuluar se plakja aktivizon një grup të veçantë qelizash burimore që nxisin krijimin e qelizave të reja yndyrore, sidomos në zonën e barkut.

Gjetjet, të publikuara në revistën shkencore “Science”, hedhin dritë mbi një mekanizëm biologjik që deri më tani nuk ishte kuptuar plotësisht.

Yndyra në bark nuk është vetëm çështje estetike. Sipas studiuesve, ajo lidhet me një rrezik më të lartë për diabet të tipit 2, sëmundje të zemrës, çrregullime metabolike dhe plakje më të shpejtë të organizmit.

Për vite me radhë besohej se me kalimin e moshës qelizat ekzistuese yndyrore thjesht zmadheshin. Por studimi i ri tregon se organizmi fillon të prodhojë edhe qeliza të reja yndyrore.

Në qendër të këtij procesi janë qelizat pararendëse adipocitare (APC), të cilat, ndryshe nga shumica e qelizave burimore në trup, nuk e humbasin aftësinë për t’u shumuar me kalimin e viteve. Përkundrazi, ato bëhen më aktive.

Eksperimentet e kryera te minjtë treguan se qelizat APC të marra nga individë më të moshuar prodhonin shumë më tepër qeliza yndyrore sesa ato të individëve të rinj, edhe kur vendoseshin në një organizëm të ri.

Ndërsa shumica e qelizave burimore humbin aftësinë për t’u rritur me kalimin e moshës, qelizat APC bëhen më aktive dhe më efikase në krijimin e yndyrës

-shpjegoi Adolfo Garcia-Ocaña, drejtues i Departamentit të Endokrinologjisë Molekulare dhe Qelizore në City of Hope.

Sipas tij, kjo është prova e parë që zgjerimi i barkut gjatë plakjes lidhet drejtpërdrejt me krijimin e qelizave të reja yndyrore.

Shkencëtarët zbuluan gjithashtu një lloj të ri qelizash, të quajtura CP-A, të cilat shfaqen kryesisht në moshën e mesme dhe kanë aftësi të jashtëzakonshme për të prodhuar qeliza të reja yndyrore.

Kur analizuan mostra të indit dhjamor njerëzor, studiuesit gjetën qeliza shumë të ngjashme me CP-A, madje në numër më të madh te personat e moshës së mesme.

Kjo sugjeron se mekanizmi i vërejtur te modelet eksperimentale mund të ndodhë edhe te njerëzit.

Autorët e studimit besojnë se kuptimi i rolit të qelizave CP-A mund të çojë në zhvillimin e terapive të reja që synojnë uljen e yndyrës abdominale dhe përmirësimin e shëndetit metabolik.

Kontrolli i krijimit të qelizave të reja yndyrore mund të jetë një nga mënyrat më premtuese për të luftuar mbipeshën e lidhur me plakjen

-tha autorja korresponduese e studimit, Qiong “Annabel” Wang.

Studiuesit planifikojnë tani të hetojnë më tej mënyrën se si funksionojnë këto qeliza dhe nëse bllokimi i tyre mund të ndihmojë në parandalimin e grumbullimit të yndyrës në bark me kalimin e moshës.