Një studim nga Spitali Addenbrooke në Cambridge zbuloi se shumë persona, përfshirë edhe ata me probleme urogjinekologjike, nuk arrijnë të përcaktojnë saktë numrin dhe funksionin e ‘vrimave’ në pjesën intime të gruas. Qëllimi i këtij studimi ishte të vlerësonte nivelin e njohurive në popullatë, sidomos në lidhje me prolapsin e organeve të legenit, një gjendje që prek shumë gra dhe që mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar pa një njohje të mirë të anatonomisë. Pa këtë bazë njohurish, pacientet shpesh nuk e njohin gjendjen e tyre dhe nuk kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë.
Studimi i publikuar në revistën International Urogynecology Journal, u realizua përmes një pyetësori anonim, në të cilin morën pjesë burra dhe gra me probleme urogjinekologjike, si dhe miq, familjarë, kujdestarë të tyre por dhe vizitorë të klinikës. Pjesëmarrësve iu kërkua të përgjigjeshin në dy pjesë: së pari, sa ‘vrima’ kanë gratë në zonën intime dhe funksionet e secilës prej tyre. Së dyti, të identifikonin në një diagram shtatë struktura anatomike; buzët e mëdha, buzët e vogla, klitorisi, uretra, vagina, perineumi dhe anusi.
Rezultatet treguan se vetëm 46% e tyre e dinin që gruaja ka tri hapje kryesore në zonën intime; uretrën, vaginën dhe anusin. Në pjesën e diagramit, vetëm 9% e pjesëmarrësve arritën t’i identifikonin saktë të gjitha shtatë strukturat. Një keqkuptim i madh ishte lidhur me dallimin mes klitorisit dhe uretrës; rreth gjysma e atyre që etiketuan klitorisin e ngatërruan me uretrën dhe anasjelltas. Nuk u gjetën ndryshime të mëdha midis gjinive për këtë pyetje, por gratë gabonin më shpesh në dallimin mes anusit dhe vaginës.
Faktorët që ndikuan në njohuritë e përgjithshme ishin niveli i arsimit, mosha dhe përkatësia etnike. Popullsia më e mirë e informuar ishte ajo më e moshuar, me arsim të lartë dhe kryesisht me prejardhje të bardhë. Studiuesit besojnë se këto ndryshime mund të reflektojnë nevojën e veçantë për edukim më të mirë shëndetësor në komunitete të caktuara. “Përpjekjet për përmirësimin e njohurive shëndetësore në gjinekologji mund të përfitojnë nga synimi drejt grave të reja duke përdorur metoda të qasshme dhe kulturore të përshtatshme në popullata të ndryshme”-përfunduan studiuesit.