Food & Drink Health & Beauty

A e keni pyetur ndonjëherë veten se pse kilogramët kthehen sapo ndalet agjërimi?

Agjërimi i ndërprerë po promovohet si një mënyrë e thjeshtë për humbje peshe, kontroll më të mirë të sheqerit në gjak, më shumë energji dhe madje edhe jetëgjatësi. Ndryshe nga dietat klasike, agjërimi i ndërprerë nuk përcakton se çfarë duhet të hamë, por kur. Modelet më të shpeshta janë ai 16:8, ku ushqimi konsumohet brenda një dritareje prej tetë orësh në ditë, si dhe agjërimi një ose dy ditë në javë. Pikërisht kjo thjeshtësi e ka bërë tërheqës, por edhe ka krijuar pritshmëri jo realiste.

Dr. Trisha Pasricha, mjeke në Beth Israel Deaconess Medical Center dhe ligjëruese në Harvard Medical School, shpjegon se agjërimi i ndërprerë mund të çojë në humbje peshe gjatë muajve të parë. Arsyeja është e thjeshtë; kur kufizohet dritarja kohore e ushqimit, shumë njerëz përfundojnë duke konsumuar më pak kalori. Por problemi shfaqet më vonë. “Agjërimi i ndërprerë është i vështirë për t’u mbajtur në afat të gjatë dhe te një numër i madh njerëzish, pesha trupore me kalimin e kohës kthehet”, thekson dr. Pasricha. Sipas saj, studimet deri më tani nuk kanë treguar se agjërimi i ndërprerë ul ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit apo se zgjat jetëgjatësinë.

Kjo nuk do të thotë se është i dëmshëm, por se reputacioni i tij shpesh i tejkalon provat shkencore. Një nga arsyet kryesore pse njerëzit heqin dorë nga agjërimi i ndërprerë është mos përputhja me jetën reale. Orët strikte të vakteve shpesh bien ndesh me obligimet e punës, ritmin familjar, ngjarjet shoqërore dhe lodhjen kronike. Kur rregullat thyhen vazhdimisht, shfaqet ndjenja e dështimit dhe më pas braktisja e plotë e regjimit. Në atë moment, shumë njerëz kthehen te zakonet e vjetra të të ushqyerit, shpesh të shoqëruara me mbingrënie, gjë që çon në rikthim të shpejtë të kilogramëve të humbur. Ekziston edhe një aspekt psikologjik i rëndësishëm; te disa persona, modelet restriktive të të ushqyerit nxisin obsesionin me ushqimin, ndjenjën e fajit dhe cikle të vazhdueshme mes përmbajtjes dhe teprimit.

Ekspertët paralajmërojnë se agjërimi i ndërprerë nuk është i përshtatshëm për të gjithë. Personat me çrregullime të të ushqyerit, disbalanca hormonale, stres kronik, si dhe gratë shtatzëna apo gjidhënëse, shpesh reagojnë keq ndaj periudhave të gjata pa ushqim. Te disa individë, kapërcimi i vakteve mund të shkaktojë rënie të energjisë, nervozizëm, probleme me përqendrimin dhe çrregullime të gjumit, sinjale që tregojnë se trupi nuk po merr atë që i nevojitet.

Pasricha sugjeron zakone më të thjeshta dhe më të qëndrueshme, të cilat përshtaten më lehtë me jetën e përditshme. Konsumimi i mëngjesit brenda një ore pas zgjimit, me mjaftueshëm proteina dhe fibra, ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak dhe ul nevojën për messhujta më vonë gjatë ditës. Kjo nënkupton shmangien e produkteve shumë të ëmbla dhe ushqimeve të përpunuara. Përfundimi i vakteve dy deri në tre orë para gjumit ndikon pozitivisht në metabolizëm dhe në mënyrën se si trupi ruan energjinë. Darkat e vona lidhen me rrezik më të lartë për mbipeshë dhe çrregullime metabolike.

Një ushqyerje e bazuar në perime, fruta, bishtajore, drithëra integrale, arra dhe fara, me konsum të reduktuar të ushqimeve ultra të përpunuara, ka mbështetjen më të fortë shkencore për ruajtjen e peshës trupore dhe shëndetit afatgjatë.