“Fasting”, një nga dietat më të ndjekura të viteve të fundit, po vihet seriozisht në pikëpyetje nga shkenca. Një studim i ri në shkallë të gjerë sugjeron se kufizimi i ushqimit në më pak se tetë orë në ditë mund të lidhet me një rrezik ndjeshëm më të lartë për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare. Sipas studimit, i cili analizoi të dhënat e mbi 19 mijë të rriturve, personat që ushqeheshin brenda një dritareje ditore më të vogël se tetë orë kishin 135% më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, krahasuar me ata që e shpërndanin ushqimin në 12–14 orë.
“Fasting” nuk përcakton domosdoshmërisht çfarë hahet, por kur hahet. Forma më e zakonshme është modeli 16:8, ku ushqimi konsumohet për tetë orë dhe për 16 orë nuk merret ushqim. Modele të tjera, si dieta 5:2, kufizojnë kaloritë vetëm në ditë të caktuara të javës. Kjo dietë është promovuar gjerësisht nga figura publike dhe është konsideruar si një mënyrë e thjeshtë për humbje peshe dhe përmirësim të metabolizmit. Studimi zbuloi se rreziku i shtuar për sëmundje kardiovaskulare mbeti i pranishëm edhe pasi u morën parasysh faktorë si cilësia e dietës, stili i jetesës dhe niveli socio-ekonomik.
Rreziku ishte më i lartë tek duhanpirësit, personat me diabet dhe ata me sëmundje ekzistuese të zemrës. Ndërkohë, lidhja mes agjërimit me ndërprerje dhe vdekshmërisë së përgjithshme rezultoi më e dobët dhe jo e qëndrueshme. Autorët e studimit theksojnë se rezultatet nuk dëshmojnë drejtpërdrejt se agjërimi me ndërprerje shkakton sëmundje të zemrës, por sinjali është mjaft i fortë për të ngritur shqetësime serioze.