Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi besimtarët me rastin e Fitër Bajramit.
Me rastin e Fitër Bajramit ju përcjell urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë dhe mbarë shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë. Uroj që kjo ditë të sjellë paqe, harmoni dhe gëzim në çdo familje, si dhe begati e mirësi në jetën tuaj. Zoti e pranoftë agjërimin, adhurimet dhe lutjet tona përgjatë gjithë këtij muaji të bekuar!
Pas një muaji agjërimi e sakrificash, nesër besimtarët myslimanë kremtojnë Fitër Bajramin. Kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidaritetin me të varfrit.
Më 19 shkurt, besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, nisën agjërimin në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, në përkushtim, lutje dhe bamirësi. Gjatë këtij muaji të bekuar, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, që është edhe një nga 5 kushtet e Islamit.