Live From Tirana Travel

A e shohin turistët Shqipërinë si të sigurtë? Flora Xhemani Baba: “Një nga vendet më…”

E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba. Ajo ka folur më shumë për turizmin në Shqipëri, destinacionet më trend, si dhe problematikat që hasen sot nga turistët

A e shohin turistët Shqipërinë si një vend të sigurtë?

E shohin një vend absolutisht të sigurtë. Madje unë mendoj që dhe në gjykimin e turistëve, sidomos të atyre që udhëtojnë vetëm, në grupe të vogla të organizuara, ‘solo travelers’, si një çift, ose ‘backpackers’, që janë turistët më të rrezikuar në vende jo të sigurta, sepse ata udhëtojnë rrugëve, udhëtojnë me çfarëdo lloj mjeti, bëjnë autostop dhe mund të qëllojë shoferi keqbërës që mund të jetë potencial i udhëtimit të tyre. Shqipëria është klasifikuar si një prej vendeve më të sigurta në botë. Madje nuk është një vend vetëm i sigurtë, por është një vend shumë miqësor, që turistët i ndihmon çuditërisht. Them çuditërisht sepse ne mund të çalojmë pak në shërbimin profesional, por jashtë këtyre strukturave turistike ne jemi aq miqësorë sa i ndihmojmë turistët pa asnjë interes, gjë që në vendet e tjera në Evropë sot nuk ndodh më. Kjo është shumë pozitive për ta klasifikuar Shqipërinë, jo vetëm si të sigurtë, por dhe miqësore.