Lifestyle

A kanë meshkujt “perioda”? A ekziston një “cikël mujor” edhe për meshkujt që ndikon ndjeshëm në humorin e tyre?

Disa ditë të muajit, meshkujt mund të sillen ndryshe nga zakonisht – të ndjeshëm, të lodhur, nervozë dhe me oreks të çrregullt. Këto simptoma, të ngjashme me sindromën premenstruale të femrave, kanë bërë që shumë të pyesin: A kanë edhe burrat një “cikël mujor”?

Sipas një studimi të publikuar nga endokrinologu sllovak Peter Celec, nga Universiteti Comenius në Bratislavë, meshkujt përjetojnë luhatje hormonale gjatë muajit, kryesisht të lidhura me nivelin e testosteronit – hormoni mashkullor që ndikon në metabolizëm, gjendjen shpirtërore, energjinë, dëshirën seksuale dhe shëndetin e kockave.

Ndryshe nga gratë, meshkujt nuk kanë një cikël biologjik të lidhur me gjakderdhjen, por testosteroni i tyre mund të ndryshojë deri në katër herë brenda një dite. Kjo luhatje hormonale është e lidhur me një fenomen të quajtur nga ekspertët “sindroma e mashkullit të irrituar” apo “sindroma e njeriut nervoz”– një gjendje që përfshin hiperndjeshmëri, lodhje emocionale, mungesë energjie dhe nervozizëm.

Profesori Peter Schlegel, nga Universiteti Cornell në Nju Jork, thekson se ky çrregullim mund të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së përkohshme të testosteronit, i kombinuar me faktorë të jashtëm si stresi i përditshëm.

Stresi luan një rol të rëndësishëm, sipas ekspertëve. Kur trupi përjeton presion të vazhdueshëm nga faktorë si puna, trafiku apo vështirësitë në marrëdhënie, rritet prodhimi i kortizolit, hormoni i stresit.

Ky hormon, në nivele të larta, mund të ndikojë negativisht në ciklin hormonal të meshkujve dhe të çojë në çrregullime emocionale të ngjashme me ato që përjetojnë gratë gjatë PMS-së.

Edhe pse “cikli mujor mashkullor” nuk ka një formë të qartë biologjike si ai i grave, ndikimi i luhatjeve hormonale dhe stresit në trupin dhe humorin e meshkujve është real. Prandaj, herën tjetër që shihni një mashkull më të ndjeshëm se zakonisht, ndoshta thjesht është “dita e tij”.