Në filmin e famshëm “Eternal Sunshine of the Spotless Mind” (2004), personazhi i Jim Carrey i nënshtrohet një procedure për të fshirë kujtimet e dhimbshme të një lidhjeje të dështuar.
Por ndërsa dikur kjo ide dukej si fantashkencë, shkenca moderne po afrohet gjithnjë e më shumë me këtë mundësi.
Sipas Dr. Jonathan Rasouli, neurokirurg në Spitalin Universitar të Northwell Staten Island, ekzistojnë tashmë metoda që nuk fshijnë plotësisht kujtimet, por mund t’i “zbehin” ose “heshtin” ato – veçanërisht në trajtimin e depresionit dhe çrregullimeve si PTSD.
Një nga këto metoda është “Stimulimi Magnetik Transkranial (TMS)”, një trajtim joinvaziv që përdor fusha magnetike të ngjashme me ato të MRI për të stimuluar pjesë specifike të trurit. Rasouli shpjegon:
TMS është si kabllot me valë për trurin tuaj – por shumë më i saktë
Pacientëve u vendoset një spirale magnetike në kokë, e cila dërgon impulse në zonat e trurit që rregullojnë humorin dhe emocionet. Fillimisht përdorur për depresionin rezistent ndaj trajtimeve të zakonshme, kjo teknikë po studiohet gjithnjë e më shumë për ndikimin që ka mbi kujtesën emocionale dhe varësinë.
Një tjetër metodë është “Stimulimi i Thellë i Trurit (DBS)” që konsiston në implantimin e elektrodave të vogla në trurin e pacientit për të dërguar impulse elektrike.
DBS përdoret aktualisht për sëmundjen e Parkinsonit, epilepsinë dhe OCD-në, por po studiohet edhe për ndikimin që ka mbi kujtesën traumatike.
Ndërkohë, një medikament që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është “Propranolol”, zakonisht i përdorur për tensionin e lartë të gjakut. Megjithatë, rezultatet e para sugjerojnë se ai mund të zbusë emocionet e lidhura me kujtimet e dhimbshme.
Ky është ndoshta analogjia më e afërt në botën reale me konceptin e ‘Eternal Sunshine’, por nuk është fshirje e kujtesës në kuptimin e plotë. Medikamenti nuk ju bën të harroni plotësisht, por kujtimi bëhet më pak dëshpërues.
Edhe pse këto teknologji janë ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe testimit, ato ofrojnë një dritare të re për trajtimin e traumave emocionale dhe mund të ndryshojnë përgjithmonë mënyrën se si kujtojmë dhe përballemi me të kaluarën.