Pas blerjes së studios legjendare MGM nga Amazon, kompania e Jeff Bezos që zotëron të drejtat e filmave “James Bond”, kanë shpërthyer spekulimet mbi ndikimin e rrethit të tij të afërt në zgjedhjen e aktorit të ardhshëm që do të veshë kostumin e agjentit 007.
Në qendër të vëmendjes është vendosur bashkëshortja e Bezos, Lauren Sanchez. Sipas gazetarit britanik Rob Shuter, ajo pritet të ketë një rol kyç në procesin e përzgjedhjes së aktorit të ri, duke ndikuar drejtpërdrejt në vendimin final.
Burime pranë produksionit pretendojnë se Sanchez ka refuzuar aktorin Jacob Elordi, duke argumentuar se ai sjell “shumë emocione” dhe nuk përputhet me profilin klasik të Bond-it.
Sipas tyre, preferenca e saj është për një figurë më “elegante dhe karizmatike”, që i qëndron besnike imazhit tradicional të agjentit sekret.
Megjithatë, burime të tjera për Daily Mail hedhin poshtë këto pretendime, duke theksuar se Lauren Sanchez nuk ka asnjë rol zyrtar në zgjedhjen e aktorit të ardhshëm të James Bond-it.
Ndërkohë, Irish Star raporton se aktori britanik Callum Turner shihet si kandidati favorit për rolin, duke fituar terren në garën për të zëvendësuar Daniel Craig. Paralelisht, edhe emri i Idris Elba vazhdon të rikthehet në qendër të thashethemeve, duke ushqyer më tej spekulimet mes fansave.
Xhirimet e filmit të ri të James Bond pritet të nisin brenda këtij viti, ndërsa premiera është planifikuar për vitin 2027.
Deri atëherë, pyetja mbetet e hapur, kush do të jetë 007-i i ri dhe sa ndikim real ka Amazon, apo rrethi i Jeff Bezos, në këtë vendim historik?