James Norton ka pranuar se tashmë nuk e sheh veten si kandidatin ideal për rolin e James Bond, duke thënë se beson se producentët e sagës ikonike do të kërkojnë një aktor më të ri për të luajtur agjentin 007.
Aktori britanik 40-vjeçar, i cili prej vitesh është përmendur si një nga emrat e mundshëm për të zëvendësuar Daniel Craig në ekskluzivitetin e famshëm, ka zbuluar se ndihet i lehtësuar që spekulimet për këtë rol janë zbehur.
Ndoshta jam shumë i vjetër. Mbusha 40 vjeç dhe mendoj se ata do të shkojnë në një drejtim më të ri
-është shprehur Norton, duke pranuar se ideja për të qenë James Bond do të ishte një ndryshim i madh në jetën e tij.
Për shumë vite, emri i Norton është përmendur në listën e favoritëve për rolin e agjentit sekret britanik, së bashku me aktorë të tjerë si Henry Cavill, Aaron Taylor-Johnson dhe Theo James. Megjithatë, vetë aktori ka theksuar se nuk ka pasur asnjë bisedë zyrtare për këtë mundësi dhe se shumica e raportimeve kanë qenë vetëm spekulime mediatike.
Eshte sikur dikush të ketë vendosur një bast dhe papritur unë kam fotografë jashtë shtëpisë. Nuk ka asgjë konkrete
-ka thënë ai.
Norton ka pranuar gjithashtu se, edhe nëse do t’i ofrohej roli, vendimi nuk do të ishte i thjeshtë. Sipas tij, të bëhesh James Bond do të sillte famë të jashtëzakonshme, por edhe humbjen e një pjese të privatësisë që ai e vlerëson shumë.
Do të ndryshonte jetën time. Më pëlqen fakti që mund të dal në rrugë dhe të shkoj në një lokal pa u njohur nga të gjithë
-ka treguar aktori.
Ndërkohë, kërkimi për pasardhësin e Daniel Craig vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në Hollywood.
Producentët raportohet se po kërkojnë një fytyrë të re për një epokë të re të sagës, ndërsa emra të ndryshëm vazhdojnë të lidhen me rolin.
Pavarësisht se James Norton mund të jetë larguar nga gara, shumë fansa vazhdojnë ta konsiderojnë atë një nga aktorët që do të kishte pasur profilin e duhur për të veshur kostumin e famshëm të 007.