Bota Celebrities

ABC pezullon emisionin e Jimmy Kimmel pas komenteve për vrasjen e Charlie Kirk?

Televizioni amerikan ABC ka vendosur të pezullojë pa afat programin e natës vonë “Jimmy Kimmel Live!”, pas deklaratave të forta që moderatori bëri për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk.

Vendimi erdhi pasi disa stacione të lidhura me rrjetin refuzuan ta transmetonin më tej emisionin, duke e cilësuar gjuhën e përdorur si problematike.

Në episodet e së hënës dhe të martës, Kimmel komentoi mbi reagimet që pasuan atentatin ndaj Kirk, duke akuzuar mbështetësit e lëvizjes MAGA (Make America Great Again) se po përpiqeshin të “kapitalizonin politikisht” mbi tragjedinë.

Ai shtoi se:

Banda MAGA po përpiqet me dëshpërim ta paraqesë autorin e sulmit si dikë tjetër përveç njërit prej tyre

Moderatori nuk kurseu as kritikat ndaj ish-presidentit Donald Trump, duke ironizuar reagimin e tij për vrasjen.

Kjo nuk është mënyra se si një i rritur vajton humbjen e një miku, por si një fëmijë katërvjeçar që i vdes një peshk i artë

-tha Kimmel.

Deklaratat shkaktuan reagime të ashpra nga konservatorët dhe vetë kampi i Trump. Pas presionit të “Nexstar Communications Group”, e cila operon 23 filiale të ABC-së, rrjeti vendosi të tërhiqte përkohësisht programin nga transmetimi.

Komentet e Kimmel mbi vdekjen e Kirk janë ofenduese dhe të pandjeshme, sidomos në një moment kaq të tensionuar politikisht

-tha Andrew Alford, president i divizionit të transmetimeve në Nexstar.

Pas lajmit, dhjetëra protestues u mblodhën jashtë studios në Hollywood, ndërsa Kimmel nuk ka bërë ende një koment publik. ABC nga ana tjetër nuk ka dhënë një datë për rikthimin e emisionit.

Jimmy Kimmel, i cili prej vitit 2003 drejton programin e tij të natës, është një nga figurat më të njohura të humorit amerikan. Megjithatë, komentet e tij shpesh kanë ndezur polemika, veçanërisht kur kanë pasur në shënjestër figura të kampit konservator.

Ngjarja e fundit ka hapur një debat të gjerë mbi kufijtë e humorit politik dhe përgjegjësinë e moderatorëve televizivë në kohë të ndjeshme.