Shtetet e Bashkuara po përballen me një “krizë politike si kurrë më parë” pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, paralajmëroi ish-presidenti amerikan Barack Obama gjatë një aktiviteti në Pensilvani.
Obama theksoi se nuk e njihte personalisht Kirk dhe shpesh nuk pajtohej me pikëpamjet e tij, por e quajti vrasjen “tragjike dhe të tmerrshme”.
Ai kritikoi gjuhën përçarëse të presidentit aktual Donald Trump, duke kujtuar se ish-presidentët republikanë në kohë tensionesh përpiqeshin të theksonin unitetin kombëtar.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë reagoi ashpër, duke e cilësuar Obamën “arkitektin e përçarjes politike moderne”.
Para arrestimit të Tyler Robinson, i dyshuar për ekzekutimin e Kirk, aleatët e Trump fajësuan aktivistët e majtë dhe retorikën e demokratëve për nxitjen e dhunës.
Obama nënvizoi se roli i një presidenti është të bashkojë qytetarët dhe jo t’i vendosë ata kundër njëri-tjetrit.
Ai solli në kujtesë shembuj nga historia, përfshirë qëndrimin e presidentit George W. Bush pas 11 shtatorit dhe refuzimin e tij për të identifikuar islamin si armik, si dhe vetë qasjen e tij pas sulmeve të vitit 2015 në Karolinën e Jugut.
Kur dëgjoj presidentin aktual dhe ndihmësit e tij të etiketojnë kundërshtarët politikë si ‘parazitë’ apo armiq që duhen ‘shënjestruar’, kjo tregon një problem më të madh për demokracinë tonë
-tha Obama, duke u bërë thirrje amerikanëve të ruajnë respektin ndaj mendimeve të kundërta.