Sport

“Abissnet Superiore”, sot Vllaznia-Egnatia dhe Elbasani-Laçi!

Vllaznia sot do të presë Egnatian në “Loro Boriçi”, ora 17:00, në kuadër të javës së 22-të të “Abissnet Superiore”-s. Në prag të këtij takimi, trajneri i skuadrës shkodrane, Thomas Brdariç doli në një konferencë për shtyp duke bërë të qartë objektivin.

Do të mundohemi për të kapur objektivat, e dimë që kemi përballë një ekip të fortë. Egnatia është skuadra më e mirë dhe ka bërë goditje të mira në merkato. Detyra jonë është t’ia vështirësojmë punën dhe të shohim përpara për të tentuar fitoren. Kemi pasur mjaft punë deri tani, duhet të vazhdojmë rrugën tonë me cilësitë që kemi. Objektivi është të rritemi në detaje, jemi në vendet e para dhe duhet të qëndrojmë aty, të bëjmë një futboll sa më të suksesshëm, të shënojmë dhe të mbrohemi mirë.

Po sot në orën 17:00 luhet Elbasani-Laçi. Dje u mbyll në barazim 1-1 sfida e luajtur në “Arenën e Demave”, ajo mes Partizanit dhe Dinamos. Në pjesën e parë, e kujdesshme për të dyja skuadrat, gjithçka mbeti e mbërthyer në shifrat 0-0, pavarësisht përpjekjeve, më shumë nga skuadra e Dinamos.

Në pjesën e dytë, të besuarit e Ilir Dajës arritën të zhbllokojnë sfidën, pikërisht në minutën e 50-të me anë të Mandelës. Pas këtij momenti, Dinamo u shfaq më e qartë në lojë, por në fund, Partizani arriti të gjejë rrugën e rrjetës me anë të Bintsouka (90’+2). Një barazim i arritur në limite, që nuk lejon shkëputjen e njërës apo tjetrës skuadre në klasifikim, duke mbetur në kushte të njëjta: Partizani në vend të parë me 38 pikë, ndjekur nga Dinamo po me 38 pikë.

Emanuel Ernest, Akileu Ndreca dhe Rafa Silva i dhanë një fitore bindëse Tiranës në Ballsh. Edhe pse dje ishte një transfertë delikate, bardheblutë treguan se do të jenë aty për të luajtur deri në fund shanset e tyre në këtë kampionat. Për Shkëmbin nuk mund të kishte një rikthim më të mirë se ky në pankinën bardheblu.

Emanuel Ernest mori karton të kuq. Kështu, humb takimin e radhës të Tiranës, përballë Elbasanit.  Pas 22 javësh, Tirana u ngjit në vendin e tetë me 21 pikë ndërsa Bylis qëndron në vendin e gjashtë, me 24.