Aktualitet

Abuzimet me fondet e IPARD, pyetet në SPAK administratori i CMC Reni Ashiku!

Reni Ashiku është paraqitur ditën e sotme, 26 shkurt, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për abuzimet me fondet e IPARD.

Ashiku është admninistrator i kompanisë Converse Management Consulting (CMC), shoqëri e cila ofron shërbime konsulence edhe në fushën e agrobiznesit.

Hetimet lidhen me menaxhimin dhe shpërndarjen e fondeve të programit IPARD, një skemë mbështetëse e Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale. Në këtë çështje është e kallëzuar edhe ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Fondet IPARD u pezulluan në vitin 2023 nga Komisioni Evropian për shkak të dyshimeve për korrupsion. Që pas këtij vendimi, KE ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që çështja të trajtohet me seriozitet nga autoritetet shqiptare.

Komisioni ka theksuar nevojën për masa korrigjuese dhe për transparencë të plotë në hetimin e abuzimeve, duke e bërë këtë kusht të domosdoshëm për rifillimin e financimeve.