Pjesëmarrës në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump të angazhohet më shumë në Ballkanin Perëndimor, për ta stabilizuar rajonin, duke vlerësuar se Rusia, përmes Serbisë, është faktori kryesor për destabilizim.
Duke hapur seancën dëgjimore dje vonë, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.
Marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka më tej i mundëson Rusisë ta minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit, tha Self.
Përkeqësimi i situatës në Bosnje e Hercegovinë ka çuar, sipas tij, në “rritje të madhe të përdorimit të kompetencave juridikisht të diskutueshme” të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
Në rast konflikti, aleatët e NATO-s, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, gjë që mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës, u shpreh Self, duke shtuar se aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesa politike dhe ushtarake, por se Kosova do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës perëndimore.
Kundërshtarët e SHBA-ve po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon. Kina po e përdor ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi.
Përveç kësaj, Kina po nënshkruan marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin me synimin e ruajtjes së aparatit të saj keqdashës dhe shfrytëzimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.
Rusia gjithashtu ndikon në rritjen e tensioneve në Bosnje, në Republikën Sërpska dhe në Serbi. Ish-presidenti i entitetit serb në Bosnjë, Milorad Dodik, po vazhdon të përdorë kapitalin e tij politik për ta kontrolluar Republikën Sërpska dhe për të vepruar në interes të Rusisë duke kërcënuar me ndarjen e saj nga Bosnja.
Pavarësisht dërgimit indirekt të armëve në Ukrainë, Serbia ka gjithashtu lidhje mbrojtëse me Rusinë e Kinën dhe promovon propagandën kineze e ruse. Ai vuri në dukje se për të përfunduar ndikimin politik të Moskës, duhet trajtuar çështja e varësisë së Serbisë nga energjia ruse.
Pavarësisht këtyre sfidave, ende ekzistojnë mundësi për përmirësimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor dhe lidershipi amerikan duhet të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e rikthimit të konflikteve, tha Self, duke përshëndetur administratën Trump për riangazhimin në këtë, siç e quajti ai, “rajon shpesh të neglizhuar”.
William R. Keating, anëtari me rang më të lartë demokrat në Nënkomitet, shprehu bindjen se Amerika duhet të vazhdojë të mbështesë të ardhmen e Bosnjës, përfshirë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR). Ai kritikoi administratën Trump për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët, siç tha, “kanë treguar pak gatishmëri për të ndryshuar sjelljen në Republikën Sërpska”.
Duke theksuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç prej vitesh ka minuar sundimin e ligjit dhe ka forcuar lidhjet e Serbisë me Kinën e Rusinë, ai i bëri thirrje sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Serbi, si dhe t’i bëjë të qartë Beogradit se forcimi i lidhjeve me Moskën e Pekinin nuk përputhet me synimin e deklaruar për t’u integruar në komunitetin transatlantik.
Më tej u shpreh i bindur se një angazhim më i madh amerikan në Ballkan do ta afronte rajonin me anëtarësimin në BE dhe i bëri thirrje administratës Trump të sigurojë aleatët e partnerët në rajon se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë të angazhuar e të përkushtuar ndaj të ardhmes së tij.