Rajoni

Aksident në punë në Prishtinë, një i arrestuar!

Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar një person lidhur me shembjen e dheut në një punishte në lagjen Veternik në Prishtinë, një ditë më parë. Për këtë shkak, një person humbi jetën dhe një tjetër u lëndua.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Boroci, dje i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet morën informacione se rreth orës 13:00, dy vetë mbetën të bllokuar nga shembja e dheut në rrugën “Gjilani”.

Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete, nga ana e mjekëve të Urgjencës, deklaroi Boroci.

Sindikatat e të drejtave të punëtorëve vazhdimisht kanë shprehur shqetësim për shkallën e lartë të lëndimeve dhe vdekjeve në sektorin e ndërtimit në Kosovë.

Gjatë 10 viteve, kanë humbur jetën 237 punëtorë në vendet e tyre të punës, si dhe janë plagosur 1 mijë e 780 të tjerë. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në sektorin privat. Përfaqësues të Sindikatës së Sektorit Privat shprehen se këto shifra “duhet të jenë alarm për institucionet dhe kompanitë, që të veprojnë për të rritur masat e sigurisë në vendin e punës”.

Procesi i trajnimit për sigurinë dhe shëndetin në punë kryhet nga kompani të licencuara. Realizohet në ambientet e punës dhe më pas përgatitet dokumenti i vlerësimit të rrezikut, ku përshkruhen karakteristikat e procesit të punës, identifikohen burimet e rrezikut, përcaktohet se kush mund të rrezikohet, nga çfarë dhe si e po ashtu edhe masat e nevojshme.

Në Kosovë janë të licencuara 20 kompani të tilla, siç bënë të ditur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Radion Evropa e Lirë.

Nga Inspektorati i Punës bënë të ditur se “nga janari e deri në muajin qershor 2024, 213 subjekte përfunduan procesin e vlerësimit të riskut në punë dhe janë trajnuar 1.174 të punësuar”, por nuk sqarojnë nëse bëhet fjalë për subjekte private apo publike e cilëve sektorë u përkasin.

Disa kompani që ofrojnë trajnime për sigurinë, thonë se bizneset private nuk janë vetëdijesuar ende sa duhet për rëndësinë e këtyre shërbimeve. Sipas përfaqësuesve të tyre, trajnimet, në shumicën e rasteve, realizohen pasi ato kushtëzohen nga Inspektorati i Punës, i cili bën kontrolle në terren.