Jo vetëm vendi ynë, pjesë të Kosovës mund të përballen me përmbytje pasi parashikohen reshje të mëdha shiu sot dhe nesër. Shiu intensiv ka detyruar kryeqytetin Prishtinë ta anulojë mësimin e ditës së sotme. Drejtoria e Arsimit në Prishtinë njoftoi në Facebook prindërit se mësimi është anuluar si masë parandaluese.
Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuar atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet, njoftoi Drejtoria e Arsimit.
Instituti Hidrometeorologji i Kosovës raportoi dje se vendi do të përballet me reshje shiu në dy ditët në vijim e që në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.
Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete, tha instituti, pa dhënë më shumë hollësi.
Ndërkohë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” paralajmëroi sot se ekziston rrezik i shtuar për vërshime në zonat e ulëta dhe pranë lumenjve gjatë ditës. Qytetarëve iu bëri thirrje të shmangin lëvizjet pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent iu kërkoi qytetarëve të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe t’i shmangin zonat me rrezik vërshimesh. Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.