Aktualitet

Aksident rrugor në Kavajë, humb jetën 50-vjeçarja!

Aksidentet rrugore vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare. Policia e Kavajës njofton se një grua humbi jetën në aksin Plepa-Kavajë pasi u përplas nga një makinë. Viktima e moshës 50 vjeçe ishte këmbësore. Drejtuesi i automjetit u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Kavajë/Informacion paraprak

Rreth orës 08:40, në aksin rrugor Plepa-Kavajë, automjeti me drejtues shtetasin S.P. ka përplasur shtetasen A. M., 50 vjeçe, këmbësore, e cila ka humbur jetën në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprimet e mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Dje ishin dy të rinj që ndërruan jetë pasi një makinë u përplas me motorin e tyre “Shkalla e Tujanit” në Tiranë. Viktima mbetën drejtuesi i motorit, 23 vjeç dhe pasagjeri që udhëtonte me të, 18.

Njoftimi policor i një dite më parë:

Më datë 14.05.2025, rreth orës 02:30, në aksin rrugor “Shkalla e Tujanit”-Zall Dajt”, dyshohet se automjeti me drejtues shtetasin O. C., 24 vjeç, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin B.H., 23 vjeç dhe pasagjer shtetasin O.L., 18 vjeç. Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën shtetasit B.H. dhe O. L.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar dhe arrestuar drejtuesin e automjetit, shtetasin O.C., i dyshuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore pësoi ulje prej 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 81,8% të aksidenteve, shkaqet kryesore janë të lidhura me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmoshat më të prekura nga aksidentet janë ata të moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9% të numrit të aksidenteve.

Dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shkurt, me 20,5%, ndërsa dita e diel ka qenë dita me numrin më të ulët të aksidenteve, me 9,1%.  Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 19,3% të aksidenteve gjithsej.

Pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, akoma mbeten shumë faktorë që kërkojnë vëmendje për të reduktuar më tej numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë rrugore.