Rajoni

Aksion në disa rajone të Kosovës, raportohet për të arrestuar!

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë ndërmarrë një aksion në disa rajone të vendit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë se shënjestra të këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi, web-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha.

Dyshohen se kanë paguar qytetarë të ndryshëm në emër të sigurimeve, në vlerë mijëra euro. Betimi për Drejtësi mëson se një pjesë e shumave ndahej me ta.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorim i besimit”, “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “Ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “Falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve.