Live From Tirana

Aksioni në Theth, ekspertja e turizmit: “Po dëmton turistët, nuk është normale…”

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Florida Zani, për të folur më shumë mbi turizmin. Ku preferojnë të pushojnë më shumë shqiptarët gjatë verës?

Lidhur me situatën aktuale në Theth, me përplasjet mes banorëve dhe IKMT për ndërtimet pa leje, a e dëmton turizmin në këtë periudhë?

Kjo nuk është normale fare që të ndodhë gjatë sezonit veror, gjatë sezonit turistik, është apo jo pa leje. Patjetër që kjo duhet bërë para ose pas sezonit, sepse ka kohë plot dhe nuk është një imazh i mirë. Ne po mundohemi që t’i krijojmë një imazh të mirë Shqipërisë, por kështu nuk ia krijojmë dot. 

A mund të tremben turistët kur shikojnë banorët që përplasen me IKMT?

Patjetër, sepse edhe stafi atje nuk besoj të jetë në gjendje që t’u shpjegojë siç është tamam situata. Edhe po t’ua shpjegojë, është shumë e vështirë që ata ta kuptojnë që në mes të sezonit të ndodhë kjo, ndërkohë që kanë bërë rezervime dhe janë duke pushuar në hotel…  Është mirë që të kemi hapësirë publike, por të bëhen në kohën e duhur. Ose ky investitori që ka ndërtuar në Theth, të ishte informuar paraprakisht pa e ndërtuar këtë gjë, që dhe ai të mos dëmtohej kaq shumë. Të mos krijonim këtë show negativ në sytë e turistëve në pik të sezonit.